Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA)

IPA është një instrument financiar i shfrytëzuar nga BE-ja që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE. IPA është krijuar në vitin 2007.

Objektivat kryesore të IPA-s përfshijnë forcimin e institucioneve demokratike, reformimin e administratës dhe ekonomisë, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, përmirësimin e respektimit të të drejtave të minoriteteve dhe zhvillimin e shoqërisë civile.

Ndihma ofrohet në kuadër të dokumenteve të cilat rregullojnë marrëdhëniet e një vendi me Komisionin Evropian, kryesisht Partneriteteve Evropiane për vendet kandidate potenciale dhe Partneriteteve të Anëtarësimit për vendet kandidate. Në vendet të cilat përfitojnë nga IPA bëjnë pjesë shtetet e ish-Jugosllavisë (përjashto Slloveninë tashmë pjesë e BE-së), Shqipërinë dhe Turqinë. Sidoqoftë, IPA është një instrument fleksibil i cili mund të përdoret për të ndihmuar edhe vendet tjera jashtë procesit të para-anëtarësimit gjithnjë duke nënkuptuar që masat të cilat financohen nga IPA janë pjesë e një kornize rajonale, ndërkufitare, ndërshtetërore ose ndërkombëtare dhe nuk duplikojnë programet tjera të BE-së për ndihmën e jashtme.

Ndihma përmes IPA-s ofrohet në pesë komponentë të cilat përfshijnë: përkrahjen gjatë tranzicionit dhe ndërtimin e institucioneve, bashkëpunimin ndërkufitar, zhvillimin rajonal, zhvillimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin rural. Ndihma e ofruar përmes IPA-s bazohet në planifikimin strategjik shumëvjeçar i cili përfshin një Kornizë Indikative Financiare Shumëvjeçare.

Ky dokument përcakton shumën të cilën Komisioni Evropian synon ta shpenzojë në një vend për një periudhë të caktuar sikurse dhe fushat prioritare në të cilat alokohen fondet e IPA-s. Po ashtu, planifikimi strategjik bëhet edhe përmes programeve që mund të jenë shumëvjeçare ose vjetore. Ndihma nga IPA, përpos tjerash, mund të ndahet në formë investimi, subvencioni, bashkëpunimi administrativ, pjesëmarrje në programet e BE-së dhe ndihmës buxhetore. Kjo e fundit ndahet në raste të rralla dhe i nënshtrohet mbikëqyrjes.

Për alokimin e fondeve të IPA-s, për çdo vjet zhvillohet nga një cikël i programimit të IPA-s, gjatë të cilit përcaktohen projektet të cilat do të financohen përmes këtij instrumenti.

Menaxhimi i programeve të IPA-s realizohet varësisht nga kapacitetet e një vendi për zbatim. Në Kosovë, institucioni që kryen menaxhimin e programeve të IPA-s është Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian.

Për vitet në vijim 2011-2013, fondet e IPA-s për Kosovën do të përqendrohet në fushën e sundimit të ligjit që përfshin në përgjithësi organet e rendit sikurse policinë dhe gjykatat, në reformën e administratës publike dhe në zhvillimin ekonomik. Këto fusha prioritare janë përcaktuar në Dokumentin Indikativ Planifikues Shumëvjeçar 2011-2013 i cili njëherësh është edhe dokumenti kryesor referues për projektet e IPA-s.

Informata të hollësishme për IPA-n mund të gjenden në linqet e mëposhtme:  

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO