Përmbledhje

Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA)

IPA është një instrument financiar i shfrytëzuar nga BE-ja që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE. IPA është krijuar në vitin 2007.

Objektivat kryesore të IPA-s përfshijnë:

- forcimin e institucioneve demokratike,

- reformimin e administratës dhe ekonomisë,

- promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut,

- përmirësimin e respektimit të të drejtave të minoriteteve dhe

- zhvillimin e shoqërisë civile.

Ndihma ofrohet në kuadër të dokumenteve të cilat rregullojnë marrëdhëniet e një vendi me Komisionin Europian, kryesisht Partneriteteve Europiane për vendet kandidate potenciale dhe Partneriteteve të Anëtarësimit për vendet kandidate. Në vendet të cilat përfitojnë nga IPA bëjnë pjesë shtetet e ish-Jugosllavisë (duke përjashtuar Slloveninë e cila tashmë është pjesëtare e BE-së), Shqipërinë dhe Turqinë. Sidoqoftë, IPA është një instrument fleksibil i cili mund të përdoret për të ndihmuar edhe vendet tjera jashtë procesit të para-anëtarësimit gjithnjë duke nënkuptuar që masat të cilat financohen nga IPA janë pjesë e një kornize rajonale, ndërkufitare, ndërshtetërore ose ndërkombëtare dhe nuk i mbivendosin programet tjera të BE-së për ndihmën e jashtme.

Ndihma përmes IPA-s ofrohet në pesë komponentë të cilat përfshijnë:

1. Përkrahjen gjatë tranzicionit dhe ndërtimin e institucioneve

2. Bashkëpunimin ndërkufitar

3. Zhvillimin rajonal

4. Zhvillimin e burimeve njerëzore

5. Zhvillimin rural

Kjo ndihmë përmes IPA-s bazohet në planifikimin strategjik shumëvjeçar i cili përfshinë Kornizë Indikative Financiare Shumëvjeçare - dokument ky që përcakton shumën të cilën Komisioni Evropian synon ta shpenzojë në një vend për një periudhë të caktuar si dhe fushat prioritare në të cilat alokohen fondet e IPA-s. Po ashtu, planifikimi strategjik bëhet edhe përmes programeve që mund të jenë vjetore ose shumëvjeçare. Ndihma nga IPA, përpos tjerash, mund të ndahet në formë investimi, subvencioni, bashkëpunimi administrativ, pjesëmarrje në programet e BE-së dhe ndihmës buxhetore. Kjo e fundit ndahet në raste të rralla dhe i nënshtrohet mbikëqyrjes.

Për alokimin e fondeve të IPA-s, për çdo vjet zhvillohet nga një cikël i programimit të IPA-s, gjatë të cilit përcaktohen projektet të cilat do të financohen përmes këtij instrumenti. Menaxhimi i programeve të IPA-s realizohet varësisht nga kapacitetet e një vendi për zbatim. Në Kosovë, institucioni që kryen menaxhimin e programeve të IPA-s është Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian.

Për vitet në vijim 2011-2013, fondet e IPA-s për Kosovën do të përqendrohen në fushën e sundimit të ligjit që përfshinë në përgjithësi organet e rendit sikurse policinë dhe gjykatat, në reformën e administratës publike dhe në zhvillimin ekonomik. Këto fusha prioritare janë përcaktuar në Dokumentin Indikativ Planifikues Shumëvjeçar 2011-2013 i cili njëherësh është edhe dokumenti kryesor referues për projektet e IPA-s.

Programet :

IPA 2007-2013

IPA 2014-2020

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO