Përafrimi i legjislacionit vendor me Acquis-në

Përafrimi i ligjit është obligim unik për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kjo do të thotë se vendet që aspirojnë t’i bashkëngjiten Bashkimit Europian duhet t’i përafrojnë ligjet, rregullat dhe procedurat e tyre kombëtare në mënyrë që të bëjnë efektive të gjithë strukturën ligjore të BE-së, brenda acquis communautaire. Meqë detyrimi i përafrimit vazhdon edhe pas hyrjes, atëherë procesi i përafrimit para aderimit shndërrohet në një mundësi për këto vende që t’i organizojnë më mirë institucionet dhe procedurat e tyre dhe të trajnojnë stafin e tyre për proceset e përditshme dhe përgjegjësitë e bërjes së ligjeve sipas modelit të BE-së, zbatimin dhe implementimin e tyre.
 
Ekzistojnë tri elemente kyçe:

1. Së pari, duhet të bëhet miratimi ose ndryshimi i ligjeve kombëtare, rregullave dhe procedurave, në mënyrë që kërkesat e Acquis-së përkatëse të jenë plotësisht të inkorporuara në rendin ligjor kombëtar. Ky proces është i njohur si “transponim”. Duhet theksuar, se megjithëse vendet kanë një liri të konsiderueshme në përzgjedhjen e mekanizmave më të përshtatshëm kombëtarë ku të reflektohen detyrimet e BE-së, kjo liri në disa aspekte është e kufizuar nga ligji i përgjithshëm i Bashkimit. Në të shumtën e rasteve, do të jetë e nevojshme që legjislacioni vendas të miratohet nga Parlamenti ose me anë të ndonjë Dekreti nga ana e Presidentit ose Qeverisë.

TRANSPONIMI
Termi transponim do të thotë çdo lloj mase legjislative, rregulluese ose administrative e ndërmarrë nga autoritetet kompetente të një Shteti Anëtar, për të inkorporuar brenda rendit ligjor kombëtar, detyrimet, të drejtat dhe detyrat e mbrojtura përmes Acquis-së. Pra, transponimi nuk përfshinë thjeshtë riprodhimin e fjalëve të një direktive në ligjin kombëtar, por gjithashtu, çdo lloj dispozite shtesë, si amendamentet ose shfuqizimet e dispozitave kombëtare kundërthënëse, të cilat janë të domosdoshme për të siguruar se ligji kombëtar si tërësi, pasqyron dispozitat e Acquis-së.

2. Së dyti, duhet të sigurohen institucionet dhe buxhetet e domosdoshme për vënien në jetë të këtyre ligjeve dhe rregulloreve (i njohur si “Implementim” ose “zbatim në praktikë” i direktivës).

ZBATIMI PRAKTIK
Zbatimi praktik është shpjeguar si përfshirje i ligjit të BE-së në vendime të veçanta, nga ana e autoriteteve kompetente, për shembull lëshimi i licencave për ekzekutimin e një plani ose programi. Në rast të rregulloreve dhe dispozitave që janë direkt të aplikueshme, atëherë legjislacioni i BE-së zbatohet drejtpërsëdrejti. Megjithatë, posa direktiva të jetë transponuar si duhet, atëherë aplikohet sipas masave vendore të transponimit. Këtu, gjithashtu, përfshihet sigurimi i infrastrukturës dhe mjeteve të nevojshme në mënyrë që organet kompetente të jenë në gjendje t’i përmbushin obligimet e tyre sipas ligjeve të BE-së dhe të marrin vendimet e duhura.

3. Së treti, të bëhen kontrolle të domosdoshme dhe të vendosen masat e nevojshme ndëshkuese për të garantuar që ligji po respektohet plotësisht dhe si duhet (ekzekutimi)

EKZEKUTIMI
Zbatimi definohet gjerësisht si të gjitha qasjet e organeve kompetente për të inkurajuar ose obliguar të tjerët që të respektojnë legjislacionin ekzistues (p.sh. monitorimi, sanksionet dhe masat e detyruese korrektuese) në mënyrë që të përmirësohet rendimenti i politikave sektoriale.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO