MSA

Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), janë iniciuar bazuar në konfirmimin e perspektivës evropiane të Kosovës në kudër të Studimit të Fizibilitetit, i cili kishte konstatuar se Kosova ishte e gatshme për t’i filluar ato. Bazuar në këtë, më 12 dhjetor 2012, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së kishte miratuar propozimin e Komisionit për fillimin e këtyre negociatave dhe qëllimin e tij për të propozuar direktivat përkatëse, pas përmbushjes nga ana e Kosovës të prioriteteve afatshkurtra të dala nga ky studim (të cilat kishin të bënin me katër fusha: sundimin e ligjit, administratën publike, mbrojtjen e minoriteteve dhe tregtinë). Menjëherë pas publikimit të këtij studimi, institucionet e Republikës së Kosovës kishin filluar zbatimin e kritereve afatshkurtra, i cili proces kishte përfunduar brenda disa muajsh.

Për pasojë, në prill 2013, Komisioni kishte publikuar raportin monitorues për zbatimin e kritereve afatshkurta të dala nga Studimi i Fizibilitetit, përmes të cilit kishte konfirmuar se Kosova kishte përmbushur të gjitha këto kritere për nisjen e negociatave për MSA. Bazuar në këtë raport, më 28 qershor 2013, Këshilli i BE-së mori vendimin për nisjen e negociatave për MSA ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Negociatat kishin filluar më 28 tetor 2013, me takimin e parë të Kryenegociatorëve. Pas hapjes së negociatave, me fokus në kapitujt IV, V dhe VI, raundi i dytë i tyre, i mbajtur më 27 nëntor 2013, u fokusua në përmbylljen e këtyre tre kapitujve, me ç’rast gjithashtu u hapën negociatat për kapitujt I, III, VII, VIII , IX dhe X. Raundi i tretë dhe i katërt u zhvilluan në dhjetor 2013, respektivisht në shkurt 2014, kurse në raundi i pestë (më 24 mars 2014) u fokusua në kapitullin e fundit të mbetur, Kapitullin II, mbi dialogun politik. Pas pesë raundesh të negociatave, takimi përfundimtar i Kryenegociatorëve u mbajt më 2 maj 2014, në Prishtinë, me ç’rast MSA ishte miratuar prej tyre, me vendosjen e inicialeve. Me këtë është përmbyllur procesi i negociatave, kurse MSA tani gjendet në procedura të shqyrtimit dhe miratimit nga Shtetet Anëtare dhe institucionet e BE-së. Ky proces pritet të përfundojë kah mesi i vitit 2015, dhe MSA pritet të hyjë në fuqi nga janari 2015.

Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më 27 tetor 2015, në Strasburg. Ajo më pas u miratua nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 30 tetor 2015, përmes Vendimit nr. 01/55 për miratimin e Projektligjit për ratifikim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës, në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër , dhe u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 2 nëntor 2015, me miratimin e Ligjit nr. 05/L-069 për ratifikim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës, në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së dhe si e tille, MSA, paraqet një fazë të re të marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Si marrëveshje ndërkombëtare, ajo përcakton mekanizmat dhe afatet zyrtare për zbatimin e të gjitha reformave që do ta përafrojnë Kosovën në mënyrë progresive me BE-në në të gjitha fushat e politikave, deri në përmbushjen e të gjitha standardeve të BE-së. Për më tepër, MSA vendosë kornizën e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për jetësimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit (PSA) deri në anëtarësimin e plotë në BE. Sa i përket fushëveprimit, përveç çështjeve politike e detyrimeve juridike (përfshirë ato që prekin rendin e brendshëm juridik), MSA mbulon të gjitha sferat e qeverisjes.

Më shumë:

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit - MSA
Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO