Solemnisht lansohet faza e re e Fushatës për Liberalizimin e vizave

Prishtinë, 10 Tetor 2018 - Sot, në prani të Kryeministrit Haradinaj, Shefes së Zyrës së BE-së, Apostolova dhe Ambasadorit gjerman Heldt, Ministria e Integrimit Evropian, ka lansuar fazën e re të Fushatës për Liberalizimin e vizave, me ç’rast, ministrja Dhurata Hoxha theksoi rëndësinë e fushatës.

Fillimisht, Ministrja Hoxha ka falënderuar GIZ-in, Ambasadën gjermane dhe Zyrën e BE-së, për përkrahjen nga viti 2012 kur filloi rrugëtimi i gjatë i plotësimit të 95 kritereve për liberalizimin e vizave, krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat kanë pasur vetëm 41.

Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin pozitiv, me sukses kaloi votimi në komisionin LIBE dhe në Parlamentin Evropian, tani jemi një hap afër liberalizimit të vizave dhe sfida e fundit do të jetë votimi në Këshill, vuri në dukje Ministrja.

“Ne nuk do të ndalim punën me marrjen e rekomandimit pozitiv, reformat do të vazhdojnë me intensitet edhe më të shtuar. Sfida e radhës janë shtetet anëtare me të cilat jemi duke punuar shumë. Kemi ndërmarrë disa hapa në mënyrë që të adresojmë brengat eventuale të secilit shtet anëtar veç e veç”, potencoi Ministrja Hoxha, duke cekur fuqizimin e legjislacionit për të huajt, sigurinë e kufijve dhe migracionin konform standardeve evropiane si dhe zbatimin e marrëveshjeve të riatdhesimit.

Me mbështetjen e GIZ-it, theksoi Ministrja, po lansojmë fillimin e fazës së re të fushatës vetëdijesuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Fushata ka për qëllim kryesor qasjen te qytetarët me informatat e duhura se çka është dhe çka nuk është liberalizimi i vizave. Ku dhe sa mund të qëndrohet dhe rregullat e tjera të zonës Schengen”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se Qeveria e Kosovës do të mbështes këtë fushatë me mjete shtesë krahas mbështetjes së GIZ-it.

“Do të sigurohemi të gjithë së bashku që mesazhet që do të përçohen të jenë të duhurat dhe mjaftueshëm informuese për qytetarin. Do të shkojmë në çdo qytet, fshat e lagje në mënyrë që qytetarët tanë të jenë pjesë aktive e kësaj fushate”, ceku Ministrja, dhe shtoi se përveç Qeverisë dhe dikastereve të saj, fushata do të zgjerohet dhe mbështetet edhe nga Kuvendi dhe institucionet tjera.

Fushata do të jetë gjithëpërfshirëse dhe të gjithë ne së bashku me qytetarët tanë, ceku Ministrja, do të arrijmë nivel të kënaqshëm të vetëdijesimit në mënyrë që të mos bëhet keqpërdorim apo të rrezikohet liberalizimi për shkak të mungesës së informacioneve.

“Do të dëgjojmë zërin e qytetarëve dhe do të japim mesazhe të qarta se liberalizimi i vizave nuk guxon dhe nuk duhet të keqpërdoret. Më lejoni që sot të shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë qytetarët, institucionet, shoqërinë civile, mediat dhe misionet e shteteve anëtare në Kosovë që të gjithë së bashku, të jemi pjesë aktive e kësaj fushate, sepse vetëm me këtë bashkëveprim mund të jemi të suksesshëm”, theksoi Ministrja Hoxha duke falënderuar përkrahësit e fushatës, dhe duke uruar suksese në këtë fushatë të rëndësishme për qytetarët dhe vendin tonë!

 

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO