Miratohet kërkesa e Ministres Hoxha për plotësimin e programit legjislativ me tri projektligje të rëndësishme për procesin integrues

Prishtinë, 9 Mars 2018 - Në Mbledhjen e Qeverisë, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka paraqitur për miratim kërkesën për plotësimin dhe ndryshimin e Programit Legjislativ për vitin 2018 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me impakt financiar prej 78.450.000 euro, këto projektligje:


“Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së për programin ‘Evropa për Qytetarët’ dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut, “Asistencë Teknike në kontekst të Integrimit Evropian”.


Këto projekt-ligje, theksoi Ministrja Hoxha, ratifikojnë marrëveshje ndërkombëtare, dy prej të cilave rrjedhin nga Marrëveshja Kornizë ndërmjet BE-së dhe Kosovës, si dhe njëra nga Marrëveshja e përgjithshme bilaterale e nënshkruar në mes të Luksemburgut dhe Kosovës, si dhe Memorandumi i saj i Mirëkuptimit.


Kjo kërkesë, është e bazuar në zotimin e Republikës së Kosovës që të zhvillojë partneritet evropian që do kontribuojë në Integrimin evropian të Republikës së Kosovës dhe përfitimin nga programet e BE-së, vuri në pah Ministrja Hoxha. Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë ndërmjet Kosovës dhe BE-së, mundëson zbatimin e programeve në vlerë prej 49.450.000, prej të cilave, 48 milion euro janë nga BE-ja, pjesa tjetër bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës, ndërsa marrëveshja me Luksemburgun kap shumën prej 30 milion euro për sektorët prioritar.


“Marrëveshja mes Kosovës dhe BE-së për programin “Evropa për Qytetarët”, mundëson pjesëmarrjen e Kosovës në këtë program me vlerë prej 185 milion eurove, i krijuar në vitin 2014. Ky program ka për qëllim të kontribuojë në informimin e qytetarëve për BE-në, historinë dhe diversitetin e saj, të nxisë qytetarinë evropiane dhe të përmirësojë kushtet për pjesëmarrje qytetare dhe demokratike në nivel të BE-së, të rritet ndërgjegjësimi për përkujtimin, historinë dhe vlerat e përbashkëta dhe të nxitet pjesëmarrja demokratike e qytetarëve në nivelin e BE-së”, ka theksuar Ministrja Hoxha.


Ndërsa, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut, potencoi Ministrja Hoxha, mundëson krijimin e mekanizmit për trajnim dhe asistencë teknike që fuqizon burimet njerëzore të administratës së Kosovës, dhe trajton temat kyçe të procesit të integrimit ashtu që të komunikohen në mënyrë efektive si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe donatorëve.


Këto Projekt-ligje, theksoi Ministrja Hoxha, janë të rëndësisë së veçantë për Kosovën pasi që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, dhe njëherësh në procesin e integrimit evropian.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO