Ministrja Hoxha: Strategjia për zgjerim përfshin Kosovën njësoj si vendet tjera, të punojmë dhe avancojmë procesin integrues



Prishtinë, 27 Mars 2018 -
Sot, u mbajt diskutim “Kosova, Presidenca e Këshillit të BE-së dhe Strategjia e re e Ballkanit Perëndimor - Çka mund të presim”, ku morën pjesë Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Evropiane, Nataliya Apostolova, Kryesuese e Zyrës së BE-së, Nedyalcho Danchev, Ambasador i Bullgarisë, Gernot Pfandler Ambasador i Austrisë, ndërsa moderator, Augustin Palokaj, nën organizimin e GIZ-it gjerman.




Në fjalën hyrëse, Ministrja Hoxha theksoi se publikimi i Strategjisë për Zgjerim para pak javësh, ishte një lajm i mirë për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi, sepse Kosova e ka më të qartë pozicionin e vet dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane, me kusht që të ndërmerren reformat përkatëse. 




“Fakti që BE e trajton procesin e aderimit të Kosovës në BE të ndarë nga Serbia, për ne është një njohje e shtetësisë së Kosovës, përkundër mosnjohjes nga disa shtete anëtare të BE-së dhe rezistencës që kanë shfaqur disa shtete që Kosova fare të mos përfshihet në këtë strategji”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se reformat që kërkohen nga Kosova janë substanciale dhe prekin sektorët më të rëndësishëm, të përcaktuara qartë në marrëveshjen për stabilizim dhe asociim, agjendën evropiane për reforma dhe programin për reforma ekonomike.


“Kosova duhet të fokusohet në fuqizimin e sundimit të ligjit, sigurinë dhe migracionin, zhvillimin social dhe ekonomik si dhe marrëdhëniet me shtetet fqinje.


Të gjitha fushat në të cilat Strategjia e Komisionit Evropian kërkon fokus dhe përparim, janë të domosdoshme për Kosovën. Fakti se këto fusha janë përmendur shprehimisht duhet të mobilizoj institucionet e Kosovës për punë më intensive për reforma”, theksoi Ministrja Dhurata Hoxha.




Kjo Strategji, ceku Ministrja, e ka bërë të qartë se BE nuk do të importoj probleme, që është një mesazh për Serbinë se duhet vazhduar dialogu me qëllime konkrete dhe nuk do të mund të anëtarësohet në BE pas zgjidhur problemin me Kosovën. Kjo strategji, theksoi ajo, i ka treguar Serbisë se dialogu është i domosdoshëm për të dy palët dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse Serbia duhet ta kuptojë se dialogu do të përmbyllet vetëm me një marrëveshje të pranueshme nga të dy palët.


“Gjatë presidencës së Bullgarisë dhe Austrisë, këtë vit, besoj se fokusi duhet të jetë në implementimin e kësaj Strategjie dhe rrugën para se si mund të përfitojë Kosova, ku pa dyshim presim mbështetjen e të dy vendeve”, theksoi Ministrja Hoxha, duke vënë në pah se Kosova pret të ketë mbështetje të pa rezervë sidomos në reformat e ndërmarra të cilat pa dyshim se duhet të reflektojnë atë që kërkohet nga Strategjia.


Do të ishte i mirëpritur një koordinim sa i përket reformave kyçe që do të ndërmerren gjatë këtij viti, theksoi Ministrja Hoxha, dhe beson se puna e përbashkët do të mundësoj rezultate të kënaqshme dhe përparim të Kosovës gjatë vitit 2018.


Në këtë diskutim, morën pjesë edhe qytetarë të cilët dhanë kontribut rreth kësaj çështjeje, dhe në fund u nxorën konkluzionet.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO