Ministrja Hoxha në OECD Paris: Përmirësimi i shërbimeve për qytetarët dhe bizneset duke reformuar qeverisjen publike

Paris, 14 Dhjetor 2017 - Në konferencën Ministrore të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim ekonomik (OECD) që po mbahet në Paris, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në panelin e konferencës dhe diskutoi për temën e sesionit plenar: Si duhet të transformohet administrata publike për t'u dhënë shërbime qytetarëve në kohë sfiduese?

Ministrja Hoxha, në fjalën e saj, theksoi se qëllimi strategjik i Kosovës është të bëhet anëtare e BE-së.

“Në dritën e këtij qëllimi, administrata publike kërkon nivelin e modernizimit që do të mundësojë bashkëveprim më të mirë mes njerëzve dhe Qeverisë. Në kohërat sfiduese që po kalojmë dhe në përdorimin gjithnjë në rritje të teknologjisë së informacionit, ne kërkojmë të krijojmë një strukturë ku shërbimet ndaj qytetarëve tanë, të jenë të arritshme lehtë dhe në çdo kohë”, theksoi Ministrja Hoxha.

Pasi foli për historinë e re të Republikës së Kosovës, ministrja Hoxha, theksoi se Administrata publike e modelit evropian, duhej të ndërtohej nga e para, duke krijuar një situatë të re për të vijuar me theks për rëndësinë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Detyrat që vijnë nga MSA-ja janë të paimagjinueshme pa rritur kapacitetet e institucioneve të administratës publike dhe nëpunësve civilë për të planifikuar, zbatuar dhe monitoruar politikat dhe ligjet duke përfshirë rregullimin efektiv dhe ofrimin e shërbimeve publike efikase të orientuara nga qytetarët”, theksoi Ministrja Hoxha.

Për këtë qëllim, vuri në dukje Ministrja Hoxha, u soll paketa e tri ligjeve. Megjithëse ende është në proces të finalizimit, Ligji për Organizimin e Administratës Publike, Ligji për Shërbimin Civil dhe Ligji për Pagat, si një pako ligjesh me synimin e trajtimit të barabartë, të drejtë, transparent dhe të përgjegjshëm të administratës publike.

Me ndihmën e Komisionit të BE-së dhe SIGMA-s, theksoi Ministrja, u zhvillua Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike.

“Sfidat e sotme po ashtu na shtyjnë që Kosova të lëvizë drejt qasjes gjithëpërfshirëse të qeverisë e cila është ende në një fazë të hershme, por përfshin reforma të tilla si racionalizimi i agjencive autonome dhe gjysmë autonome në vend. Ofrimi i shërbimeve publike në nivel qendror dhe lokal qëndron në mesin e çështjeve prioritare brenda kuadrit strategjik aktual qeveritar”, theksoi Ministrja Dhurata Hoxha.

Përveç strategjisë për modernizimin e administratës publike, vuri në dukje Ministrja Hoxha, Kosova ka miratuar strategjinë për planifikimin dhe koordinimin e politikave, Strategjinë për menaxhimin e financave publike dhe Strategjinë për ngritjen e efikasitetit të Administratës, duke kompletuar kuadrin strategjik të reformës së përgjithshme të administratës publike. Ky kuadër strategjik është lavdëruar dhe i plotëson parimet e administratës publike të përcaktuara nga SIGMA, theksoi Ministrja Hoxha.

Kosova është në prag të fillimit të një programi të parë për mbështetjen e sektorit buxhetor të BE-së në reformën e administratës publike, theksoi ministrja Hoxha dhe “Ne kemi negociuar me BE-në, për një pako reformash që do të zhvillohen në 3 vitet e ardhshme që do të mbështeten me 22 milion euro drejtpërdrejtë nga buxheti. Një nga kërkesat e këtij programi është burokracia e cila reduktohet me zvogëlimin e lejeve dhe licencave të pajustifikuara të aplikuara nga institucionet e administratës publike”, theksoi Ministrja Dhurata Hoxha.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO