Ministrja Hoxha në Bruksel, BE-ja të mos mbajë të izoluar qytetarët e Kosovës

Bruksel, 4 Dhjetor 2018 - Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën organizimin e “Friends of Europe”, me temën "BE-Ballkani Perëndimor: Zgjerimi, integrimi dhe sfidat e transformimit".

Procesi i integrimit evropian është një nga qëllimet kryesore të vendit tonë, pasi kemi vlerat dhe parimet e përbashkëta të Evropës, vuri në dukje Ministrja Hoxha në fjalën hyrëse.

Nuk ka dyshim se ne jemi patjetër vendi më pro-evropian në Evropë, potencoi Ministrja Hoxha, por çështja është nëse Bashkimi Evropian kujdeset për t'i bërë kosovarët të ndjehen pjesë e Evropës dhe vlerave të saj, gjë që nuk duket.

Pastaj, Ministrja Hoxha ka elaboruar çështjen e vizave.

“Siç është konfirmuar nga Komisioni Evropian, Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret nga udhërrëfyesi i ofruar në vitin 2012. Votimi në Parlamentin Evropian ishte shumë inkurajues për ne, duke shtyrë një hap përpara drejt qëllimit përfundimtar, i cili është lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës. Ndryshe nga vende të tjera nga rajoni, Kosova kishte 95 kritere për të përmbushur, numrin më të madh të kritereve. Kosova ka bërë detyrat e shtëpisë duke përmbushur të gjitha 95 kriteret që nuk ishin të lehta”, potencoi Ministrja Hoxha.

Rreth 5 muaj më parë, ceku Ministrja, Komisioni Evropian konfirmoi përmbushjen e kritereve nga Kosova dhe Kosova nuk ka rezultate, madje pa shpjegime të arsyeshme pse BE nuk është në gjendje të mbajë premtimin e saj dhe të respektojë rregullat dhe procedurat e veta.

“Për 20 vjet ne besuam se institucionet e BE-së do të bëjnë gjithçka që munden për të mbajtur perspektivën evropiane të vendit tonë, si për të gjithë rajonin, dinamik, konkret dhe të arritshëm, por kjo duket e pamundur në këtë fazë dhe mund të imagjinoni se sa dëshpëruese është kjo për qytetarët tanë”, potencoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se si të besohet në procesin e zgjerimit dhe konsensusin e BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit perëndimor nëse BE-ja nuk mund të japë përgjigje teknike si liberalizimi i vizave.

Ministrja Hoxha, shprehu brengën që Kosova është i vetmi vend i izoluar në Ballkanin Perëndimor, duke pasur vetëm MSA-në e nënshkruar, duke vënë në dukje gjasat e vogla që Kosova së shpejti të ketë një perspektivë evropiane.

“Kosova po bën gjithçka për të përmbushur standardet, parimet dhe vlerat e BE, megjithatë duket sikur po i afrohemi BE-së, e ajo po ikë prej nesh”, potencoi Ministrja Hoxha duke vënë në dukje rreziqet nga politika agresive globale për të ndikuar me agjendat e veta në rajon por edhe kapacitetet e Ballkanit perëndimor për t’i rezistuar atij ndikimi.


 

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO