Ministrja Hoxha “hap” dyert e Ministrisë me rastin e shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë

Prishtinë, 12 Shkurt 2018 - Ministria e Integrimit Evropian, me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ka “hapur” dyert për qytetarët, studentët dhe nxënësit, me ç’rast ka bashkëbiseduar dhe diskutuar rreth të arriturave dhe sfidave me të cilat po përballemi në këtë jubile.

Vizita e parë në Ministri, ishte nga studentët e Shkencave politike dhe diplomacisë, të Universitetit të Prishtinës, ndërsa e dyta, ishte vizita e nxënësve të klasës së XII-të, të ShM “Sami Frashëri”.

Në rrjetin social, Ministrja Hoxha ka shkruar se “studentët ishin shumë të interesuar të dinin prioritetet e këtij procesi dhe afatin sa më të shpejtë të liberalizimit të vizave. Ne, edhe pse jemi shtet i ri, kemi vullnet dhe mundësi të arrijmë shtetet tjera, të jemi brenda agjendës integruese së bashku me vendet fqinje.

Ne do të jemi të gjithë të përkushtuar që sa më parë të arrijmë synimet e shumëpritura nëpërmjet MSA-së dhe Reformat e parapara me Agjendën Evropiane. Dijet e studentëve në këtë drejtim ishin shumë inkurajuese dhe i mirëprita pikëpamjet e tyre për këtë proces”.

Pas takimit me nxënësit e klasës së XII-të, të ShM “Sami Frashëri”, Ministrja Hoxha ka shkruar në rrjetin social “pata kënaqësi që të flas për të arriturat e vendit tonë në procesin integrues, me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Nxënësit parashtruan disa pyetje rreth procesit integrues dhe liberalizimit të vizave. Atyre ju thashë se ne jeni shumë të vendosur për perspektivën evropiane të vendit tonë, si të vetmen alternativë për qytetarët tanë dhe do të zbatojmë të gjitha obligimet tona si shtet në këtë drejtim”.

Në aktivitetin e tretë, për shënimin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Ministrja Hoxha ka vizituar ShF “Faik Konica”, duke shënuar në mënyrë simbolike pavarësinë, 10 vjet shtet me nxënësit dhjetëvjeçarë.

Në rrjetin social, ministrja Hoxha ka shkruar se “pas pritjes së veçantë, për këtë takim festiv, nxënësve ju thashë se shteti ynë është vlerë e krijuar pas përkushtimit dhe punës njëshekullore. Faleminderit Drejtore, mësuese e nxënës. Gëzuar 10 vjetori i pavarësisë! #Kosova10”.
 

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO