Ministrja Hoxha kërkon më shumë punë nga institucionet për zbatimin e MSA-së

Prishtinë, 7 Gusht 2018 - Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në mbledhjen e Qeverisë, të udhëhequr nga Kryeministri Haradinaj, ka prezantuar gjendjen rreth zbatimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, bazuar në të gjeturat e raportit të hartuar nga Ministria e Integrimit, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse.


Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, gjatë tremujorit të dytë, theksoi Ministrja Hoxha, është arritur një shkallë e përgjithshme e zbatimit të Programit prej 24.33%, pasi që 18 nga 74 masat e planifikuara për këtë tremujor janë zbatuar, ndërsa pjesa e mbetur prej 56 masave, ose 76.67%, akoma nuk kanë arritur të zbatohen. Përveç këtyre, 27 masa janë zbatuar para afateve të planifikuara. Deri në fund të tremujorit të dytë janë zbatuar gjithsej 68 masa, të cilat përbëjnë 12.78% të të gjitha masave të planifikuara.


“Programi për këtë vit, përmban 532 masa afatshkurta, prej të cilave 144, ose rreth 27% janë masa legjislative, ndërsa 388 masa, ose rreth 73% prej tyre, janë masa zbatuese”, theksoi Ministrja Hoxha.


Ministrja Hoxha ka cekur se ku duhet bërë reforma që kërkojnë vëmendje në pjesën e mbetur të vitit si miratimin e ligjeve, miratimin e politikave dhe strategjive, reformat institucionale dhe ngritja e kapaciteteve, sipas sektorëve dhe institucioneve përgjegjëse. Po ashtu, Ministrja Hoxha ka paraqitur për miratim Projektligjin për ratifikimin e “Plotësim-ndryshimit nr. 1 të marrëveshjes financiare për IPA 2015 në mes Kosovës dhe BE-së”, marrëveshje e nënshkruar më 13.7.2018. Projektligji u miratua në Qeveri dhe do të procedohet për aprovim në Kuvend.


“Marrëveshja financiare për IPA 2015, është ndryshuar nga kontrata e binjakëzimit siç parashihet në marrëveshjen origjinale me një grant me një departament qeveritar, organ publik ose organ përkatës të autorizuar të një departamenti qeveritar ose autoriteti publik të një shteti anëtar të BE-së (ose në partneritet, duke përfshirë një konsorcium të shteteve anëtare). Kjo bëhet me qëllim që të mundësohet realizimi më i suksesshëm i projektit në këtë formë, sikurse është identifikuar nga ana e Zyrës së BE-së në Kosovë si autoritet kontraktues. Të gjitha dispozitat e tjera të kësaj marrëveshjeje kanë mbetur siç kanë qenë”, ka theksuar Ministrja Hoxha.


Ratifikimi në Kuvend i këtij projektligji, theksoi Ministrja Hoxha, do ta mundësonte hyrjen në fuqi të marrëveshjes dhe zbatimin e projektit të cilit i ka ndryshuar modaliteti.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO