Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën takimin e dytë të Nënkomisionit për Tregun e Brendshëm, Konkurrencën dhe Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Shëndetit

Të martën, më 31 janar 2018, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet e vitit të kaluar në fushat e prokurimit publik, të drejtave të pronësisë intelektuale, të drejtave të themelimit dhe lëvizjes së lirë të shërbimeve, politikave të konkurrencës, lëvizjes së kapitalit, ligjit për shoqëritë dhe shërbimet financiare, si dhe të mbrojtjes së konsumatorit dhe shëndetit.

Diskutimi u zhvillua sipas kornizës së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova ranë dakord për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve përkatëse të agjendës evropiane të reformave dhe të programit të reformës ekonomike, si dhe të rekomandimeve nga raportet e Komisionit për Kosovën të viteve 2016 dhe 2017.

Sa i përket prokurimit publik, Komisioni mirëpriti zhvillimet pozitive në përafrimin e mëtejshëm me acquis të BE-së dhe platformën e prokurimit elektronik të paraqitur nga autoritetet e Kosovës. Komisioni theksoi rëndësinë e përmirësimit të transparencës në të gjitha fazat e prokurimit publik, përfshirë vendosjen e dorëzimit të detyrueshëm elektronik të ofertave, veçanërisht të atyre me vlerë më të lartë.

Gjatë diskutimeve u theksuan edhe profesionalizmi i mëtejshëm i prokurimit publik, përmirësimi i monitorimit sistematik të zbatimit të kontratave dhe vendosja e një sistemi të fuqishëm të korrigjimit të lirë nga kërcënimet.

Për të drejtat e pronësisë intelektuale (DPI), Komisioni theksoi nevojën e trajtimit nga Qeveria të kufizimeve në kapacitetet e Agjencisë së Pronësisë Industriale, duke përfshirë emërimin e një Drejtori të ri. Kosova ritheksoi angazhimin e saj për të arritur, brenda 5 viteve nga hyrja në fuqi e MSA-së, një nivel mbrojtjeje dhe zbatimi të të drejtave të pronësisë intelektuale të ngjashëm me atë që zbatohet në BE.
Për të drejtat e themelimit dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, Komisioni mirëpriti miratimin e Ligjit për Shërbime dhe inkurajoi Kosovën që të vazhdojë me liberalizimin e plotë të tregut postar dhe përafrimin e mëtejshëm me ligjin mbi profesionet e rregulluara.

Përveç konkurrencës, Komisioni mirëpriti masat për forcimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) dhe publikimin e raportit me rekomandime për gjendjen e monopoleve në treg dhe theksoi nevojën për të rritur më tej ndërgjegjësimin e palëve përkatëse të interesit, veçanërisht të gjyqtarëve, për politikën e konkurrencës. Sa i përket ndihmës shtetërore, të dyja palët ranë dakord mbi nevojën për të rritur masat në këtë fushë në mënyrë që të përmbushet inventari dhe përafrimi i skemave të ndihmës shtetërore sipas afatit të prillit të vitit 2019 të parashikuar në MSA.

Për lëvizjen e kapitalit dhe ligjin për shoqëritë dhe shërbimet financiare, autoritetet e Kosovës e përditësuan Komisionin me zhvillimet e vitit të kaluar dhe të dyja palët rënë dakord për nevojën e rritjes së përpjekjeve për të luftuar krimin ekonomik dhe financiar. Komisioni ripërsëriti thirrjen e tij për një përqendrim më të madh në sektorin e sigurimeve për të nxitur praktikat e konkurrencës së drejtë dhe një fushë loje të barabartë në këtë sektor, si dhe për përmirësimin e standardeve në kontabilitet, auditim dhe raportim financiar.

Sa i përket mbrojtjes së konsumatorit, palët ranë dakord për nevojën e përforcimit të nivelit të ndërgjegjësimit dhe mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit. Në veçanti, Komisioni inkurajoi përfshirjen e përshtatshme të shoqatave të konsumatorëve dhe palëve të tjera relevante të interesit në përshtatjen e planifikuar të kornizës legjislative.

Së fundi, për shëndetin, të dyja palët ranë dakord se është e rëndësishme të trajtohen politikat shëndetësore në mënyrë holistike, si dhe për nevojën për bashkëpunim dhe koordinim të shtuar në të gjithë sektorët. Një nga këto çështje është problemi i ndotjes së ajrit me të cilin po përballet Prishtina, ku mangësitë në sektorë të tjerë kanë kontribuar në thellimin e problemit. Komisioni theksoi rëndësinë që ka krijimi nga ana e Kosovës i një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm, me kosto efektive dhe i përqendruar tek pacienti, duke e përafruar me standardet e pranuara ndërkombëtarisht të cilësisë dhe sigurisë. Kosova gjithashtu u inkurajua që të vazhdojë më tej përafrimin e legjislacionit të saj me acquis-në e BE-së.

Informata të përgjithshme

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza në kuadër të së cilës administratat e BE-së dhe Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe politike të lidhura me agjendën evropiane.

Takimet e Komisionit dhe nënkomisioneve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim përfundon me rënien dakord për veprimet pasuese duhen ndërmarrë nga autoritetet kosovare. Përfundimet e takimeve janë të disponueshme në faqen e internetit të Zyrës së BE-së në Kosovë (https://eeas.europa.eu/delegations/kosovo_en dhe https://www.mei-ks.net). Janë shtatë fusha që mbulohen nga takimet e nënkomisioneve: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria Informative, Politika Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Dogana dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorëve dhe e Shëndetit; Bujqësia, Peshkataria, Pylltaria, Siguria e Ushqimit; Transporti, Mjedisi, Energjia, Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat. Dy grupe speciale mbulojnë reformën e administratës publike dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Çdo takim i nënkomisioneve monitoron dhe shoqëron realizimin e reformave nga Kosova, si dhe identifikon mënyrat si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces. Gjithashtu, takimet sigurojnë kontribute të drejtpërdrejta për raportet vjetore të Komisionit Evropian.
 

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO