Kryeministri Thaçi: Me këtë marrëveshje Serbia ka njohur definitivisht shtetin e Kosovës në fushën e doganave

Prishtinë, 31 janar 2013

Në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar sot deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me takimin e radhës të zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton.

Në vazhdim gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në Kuvendin e Kosovës

Të nderuar deputetë,
Të nderuar ministra,
Të nderuar të gjithë të pranishëm në sallë,
Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Më lejoni që t’iu informoj për rrjedhat e rezultatet e takimit në Bruksel në mes meje, në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, dhe atij të Serbisë,  z. Daçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht baroneshës Ashton.

Ju falënderoj shumë për mundësinë që na e keni dhënë, pas kërkesës sonë, që t’iu informojmë dhe të raportojmë në Kuvendin e Kosovës për këtë takim.

Në këtë takim, është biseduar për zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë, në Kosovë, për përmbylljen e plotë të Marrëveshjes së IBM-it, në veçanti në fushën e doganave, si dhe për veprimet që do të ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të vendit tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se në këto takime janë shënuar përparime të theksuara në vendosjen e raporteve normale ndërshtetërore mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe në heqjen e pengesave dhe ndërhyrjeve ilegale nga ana e Serbisë.

Pra, si përfundim i këtij takimi ka ardhur vendimi që: pala serbe ka marrë obligime për zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë në Kosovë; kemi arritur marrëveshje në fushën e doganave, sipas të cilës vendoset rendi dhe ligji në këtë fushë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve tona, dhe sistemit unik doganor të Kosovës.

Kemi prezantuar angazhimet tona si Qeveri e Republikës së Kosovës për përmirësimin e gjendjes ekonomiko-sociale të qytetarëve tanë në veri të vendit tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë është ën funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon, në të mirën e qytetarëve, si dhe do të mundësoj integrimin sa më të shpejt të shtetit tonë në Bashkim Evropian.

Dëshiroj të falënderoj edhe përfaqësuesit e partive politike të cilët pardje kanë shprehur gatishmërinë që të informohen nga unë, në një takim që kemi zhvilluar në nj nga ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Më lejoni që në vazhdim t’iu flas për marrëveshjen e arritur në fushën e doganave.

Në pikat 1 dhe 31 dogana, akciza dhe TVSH-ja do të mblidhen sipas ligjeve të Kosovës dhe do të derdhet fillimisht në Thesarin e shtetit.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Prishtinë, do të hap një llogari bankare, në një nga bankat komerciale në Prishtinë, ku do të menaxhohen mjetet nga pika 1 dhe 31 përkohësisht.

Fondi do të drejtohet nga një bord tre anëtarësh, një përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, një nga komuniteti dhe një nga Bashkimi Evropian.

Vendimet për investimet kapitale dhe infrastrukturore, merren me konsensus nga anëtarët e Bordit, dhe në mungesë të konsensusit , vota e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian është përcaktuese.
 
Tani grupet teknike po punojnë në implementimin e kësaj marrëveshje, e cila para së gjithash është në dobi të qytetarëve tanë, që jetojnë në veri të vendit.

Marrëveshja për doganat është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj. Kjo marrëveshje mbron parimin që Kosova është një zonë unike doganore, në tërë vendin ka aplikim të njëjtë të ligjeve shtetërore, që e rregullojnë këtë fushë.

Me këtë marrëveshje vendoset rendi dhe ligji në fushën e doganave në pjesën veriore të vendit, dhe ndalen parregullsitë që kanë ekzistuar për këtë gjë.

Marrëveshja parasheh funksionimin e administratës doganore njësoj si në pjesët tjera të vendit. Marrëveshja mundëson inkasimin e plotë të të gjitha detyrimeve doganore, përfshirë akcizën dhe TVSH-në, dhe mjetet e grumbulluara derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës.

Me këtë marrëveshje zhbëhen strukturat paralele në fushën e doganave, normalizohen aktivitetet doganore si dhe sigurohet një evidencë e plotë mbi aktivitetet tregtare dhe ekonomike.

Kjo marrëveshje mundëson ndalimin e plotë të kontrabandës në vendkalimet kufitare në veri, mundëson stabilizimin e tregut të vendit, ruajtjen e konkurrencës së lirë dhe ofrimin e mbrojtjes institucionale për tregtinë e ligjshme.

Me fjalë të tjera, kjo marrëveshje mundëson normalizimin e marrëdhënieve tregtare mes dy shteteve, sipas kritereve të Bashkimit Evropian.

Në aspektin politik, me këtë marrëveshje Serbia ka njohur definitivisht shtetin e Kosovës në fushën e doganave.

Ju faleminderit.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO