Takimi i 3-të i Komitetit të Stabilizim - Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës

Bruksel, 8 Tetor 2019 - Takimi i 3-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u mbajt në Bruksel më 8 tetor 2019. Takimi u bashkëkryesua nga znj. Genoveva Ruiz Calavera, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, dhe Kushtrim Cukaj, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimeve Evropiane të Kosovës.

Komiteti i Stabilizim - Asociimit diskutoi zhvillimet më të vona kryesore politike dhe analizoi gjendjen lidhur me kriteret ekonomike, përafrimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit (MSA).

Në takim u vlerësua dhe aprovua rezultati i shtatë nën-komiteteve dhe i një takimi të Grupit Special, të mbajtura gjatë vitit të kaluar. Shpresohet që takimi i Grupit Special për Normalizim do të mbahet para Këshillit të Stabilizim - Asociimit. Gjatë gjithë diskutimeve u vlerësua përparimin në fushat që lidhen me Agjendën për Reforma Evropiane dhe Programin për Reforma Ekonomike, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në udhëheqjen e përpjekjeve të Kosovës për reforma dhe për zbatimin e MSA-së, në fushat si qeverisja e mirë dhe sundimi i së drejtës, konkurrenca dhe klima e investimeve, si dhe punësimi dhe arsimi.

Në takim u diskutuan përparësitë për reforma në fusha, përfshirë sundimin e së drejtës dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformimin e administratës publike dhe reformat ekonomike.

Lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura më 6 tetor, Komisioni Evropian i bëri thirrje Kosovës që ta krijojë Kuvendin e vet të ri dhe ta formojë Qeverinë e re pa vonesë, në mënyrë që ta kompensojë kohën e humbur dhe t’i zbatojë reformat si çështje me përparësi. Komisioni Evropian i kërkoi Kosovës ta rifillojë dialogun me Serbinë dhe ta revokojë tarifën e vendosur për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si dhe ta mbajë përparimin në rrugë të duhur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në takim u nënvizua rëndësia e përmbushjes së kritereve për reforma që rrjedhin nga MSA-ja pa vonesë. Komisioni theksoi rëndësinë e zbatimit të frymës dhe germës së Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit. Autoritetet kosovare theksuan se përparësia e tyre mbetet e përqendruar në zbatimin e reformave cilësore që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim - Asociimit dhe Agjenda për Reforma Evropiane. Në takim gjithashtu u theksua se përparimi i mëtejmë në integrimin rajonal, përfshirë në fushën rajonale ekonomike dhe agjendën e lidhjes, është i rëndësishëm.

Në takim u nënvizua rëndësia e përafrimit me standardet më të mira të BE-së në sektorët kryesorë, veçanërisht lidhur me sundimin e së drejtës, reformimin e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin. Komisioni nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal.

Palët shpresojnë të diskutojnë për përparimin e mëtejmë që do të bëhet në këto fusha kryesore gjatë Këshillit të ardhshëm të Stabilizim - Asociimit.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO