Mbledhja e katërt e Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës

15 tetor 2020

Mbledhje virtuale


Mbledhja e katërt e Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u mbajt në mënyrë virutale më 15 tetor 2020. Mbledhja u bashkë-kryesua nga znj Genoveva Ruiz Calavera, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, dhe z. Artan Çollaku, Drejtor i Departamentit të Koordinimit të Procesit të Stabilizim-Asociimit, Zyra e Kryeministrit, Qeveria e Kosovës.

Komiteti i Stabilizim-Asociimit diskutoi zhvillimet kryesore më të fundit politike dhe bëri një vlerësim të gjendjes në lidhje me kriteret ekonomike, harmonizimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

Në mbledhje u vlerësuan dhe miratuan rezultatet e mbledhjeve të shtatë nënkomiteteve dhe një grupit të veçantë të mbajtura gjatë periudhës së kaluar njëvjeçare. Gjatë diskutimeve u vlerësuan përparimet në fushat që janë relevante për Agjendën për Reforma Evropiane dhe Programin për Reforma në Ekonomi, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e përpjekjeve të Kosovës për reforma dhe për zbatimin e MSA-së në fusha si qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria, investimet dhe klima, si dhe punësimi dhe arsimi.

Në mbledhje u diskutuan prioritetet për reforma në fusha të ndryshme, përfshirë reformat për sundimin e ligjit dhe ato të gjyqësorit, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike dhe reformat ekonomike.

Komisioni Evropian mirëpriti faktin që Qeveria e Kosovës, e zgjedhur në qershor 2020, ka konfirmuar përkushtimin strategjik të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe ka mundësuar rifillimin e dialogut me Serbinë, të lehtësuar nga BE.

Komisioni Evropian i bëri thirrje Kosovës që të rigjallërojë procesin e reformave, përfshirë përmes forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe të shfrytëzojë rastin e rimëkëmbjes ekonomike për të përshpejtuar reformat ekonomike, në përputhje me pritjet e qytetarëve të Kosovës. Në këtë drejtim, Komisioni mirëpriti fillimin e një faze të dytë të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) dhe pret Planin e Veprimit të Qeverisë lidhur me këtë. Komisioni inkurajoi Qeverinë që të përfshihet në dialog me të gjitha partitë politike në Kuvend, përfshirë opozitën, në mënyrë që të ndërtojë konsensus politik mbi vendimet në lidhje me zbatimin e MSA-së dhe Agjendës për Reforma Evropiane, si dhe mbi dialogun Beograd-Prishtinë.

Në mbledhje u nënvizua rëndësia e përafrimit me standardet e mira të BE-së në sektorët kyçë, veçanërisht lidhur me sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin. Komisioni nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal.

Palët presin që të diskutojnë më tej përparimet e bëra në këto fusha kryesore në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Stabilizim-Asociimit.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO