Plotësimi i kritereve, sfidat e deri te liberalizimi i vizave – rrëfehet ministrja Dhurata Hoxh

Intervistoi: Berat Kostanica


Republika e Kosovës është në fazën e fundit të procesit për liberalizimin e vizave. Ministrja për Integrime Evropiane, Dhurat Hoxha, gjatë një interviste dhënë për Agjencinë e Lajmeve “FaktePlus”, ka thënë se institucionet e vendit i kanë kryer të gjitha obligimet që i janë dhënë nga Bashkimi Evropian.


Ajo ka folur për kohën se kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhetojnë pa viza në Evropë.


Gjithashtu, ministrja Hoxha në këtë intervistë flet edhe për sfidatë që Kosova do t’i ketë për ta përfunduar këtë proces.


Për më tepër, ajo jep vlerësimin e saj edhe për ligjet të cilat i ka miratuar Kosova e që janë jetike për vendin në procesin e integrimve evropiane.


Hoxha flet edhe për përgjegjësinë në këtë proces nëse liberalizimi ii vizave nuk ndodh sivjet, ashtu siç po premtohet vazhdimisht.


FaktePlus: Tash e disa javë, Kosova ka marrë raportin pozitiv për vizat nga Komisioni Evropian. Pas këtij raporti, cilat janë procedurat e mëtejme që Kosova do t’i ndjekë për liberalizim?


Dhurata Hoxha: Në aspektin procedural, Kosova tashmë ka kryer të gjitha obligimet që ka pasur karshi procesit të liberalizimit të vizave duke përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. Tashmë, i mbetet Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së që proceduralisht të ecin përpara. E tëra çfarë qarkullon brenda strukturës institucionale të BE-së është Rregullorja e BE-së Nr. 539/2001. Propozim amendamentin e kësaj rregulloreje e ka bërë Komisioni Evropian dhe të njëjtën ia ka dërguar Këshillit të Ministrave, e ky i fundit e ka përcjellë atë në Sekretariatin e Përgjithshëm të Parlamentit Evropian. Sekretariati i Parlamentit Evropian e përcjellë në Komisionin për Liritë Civile, Çështje të Drejtësisë dhe Punë të Brendshme (angl. LIBE). Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën e përcjellë propozimin në LIBE dhe nëse është e nevojshme edhe në Komisione tjera Parlamentare dhe e përgatit terrenin për seancë plenare ku kërkohet shumica e thjeshtë parlamentare.


Pas votimit pro liberalizimit në Parlamentin Evropian, atëherë çështja shkon te Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe të Brendshme (origjinal: Justice and Home Affairs Council -JHA-), në të cilin ulen Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së. Tradicionalisht, Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe të Brendshme takohet 6 herë në vit dhe zakonisht takimet mbahen në tetor dhe në fund të nëntorit ose fillim të dhjetorit. Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe të Brendshme voton me shumicë të kualifikuar. Pra, duhet pasur parasysh që publikimi i raportit pozitiv nga Komisioni Evropian është motori që vë në lëvizje si Parlamentin Evropian ashtu edhe Këshillin.


FaktePlus: Sipas jush, kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza?


Dhurata Hoxha: Nëse bazohemi në vendet e rajonit, atëherë që nga dhënia e rekomandimit pozitiv e deri te lëvizja e lirë janë dashur më pak se 6 muaj dhe duke besuar në këtë proces ne besojmë që qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin të lirë në fund të këtij viti. Pra, siç e thashë më lartë, proceduralisht tashmë varet tërësisht se sa shpejtë do të ecën BE në këtë drejtim, ne si Qeveri e Kosovës kemi kryer obligimet tona, për çfarë edhe jemi vlerësuar qartë dhe pozitivisht nga Komisioni Evropian.


FaktePlus: Kush duhet të marrë përgjegjësinë se edhe këtë vit Kosovës nuk i hiqen vizat?


Dhurata Hoxha: Institucionet e Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave edhe pse kemi pasur kritere më shumë se çdo vend tjetër pjesëmarrës në këtë proces. Pra, nga një shtet që nuk ka më shumë se 10 vite që është krijuar janë kërkuar kritere më së shumti, disa kritere që vende tjera nuk i kanë pasur dhe kjo ka shkaktuar vonesa, ashtu siç do të mund të shkaktonte vonesa në të gjitha vendet e rajonit. P.sh. nëse shënimi i vijës detare mes Shqipërisë dhe Greqisë do të ishte kriter për liberalizimin e vizave, Shqipëria as sot nuk do të mund të lëvizte e lirë. Pastaj, Kosovës iu kërkua demarkimi i kufirit për liberalizim të vizave, kurse Malit të Zi për të njëjtën çështje jo. Pra, siç e thashë, ne kemi kryer një punë të jashtëzakonshme për të cilën kemi marrë edhe përgjegjësitë e nevojshme, do të vazhdojmë në rrugëtimin tonë drejt BE-së duke zbatuar MSA-në dhe duke hapur rrugë për avancim të integrimit evropian. Ndërkohë, që i mbetet BE-së që të japë vlerësimet e nevojshme ashtu siç edhe vepron sot jo vetëm me vendet që aspirojnë të futen në BE, por edhe me ato që janë pjesë e BE-së. Pra, nuk duhet harruar që monitorimi nga ana e BE-së nuk përfundon asnjëherë, edhe sot BE lëshon raporte progresi për vende anëtare të BE-së të cilat i vlerëson prej A-së deri në Zh, po ashtu i vlerëson vendet që kanë liberalizim të vizave, prandaj edhe ne nuk do të përbëjmë përjashtim.


FaktePlus: Sa ndikon në procesin liberalizimit të vizave mosnjohja e pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet?


Dhurata Hoxha: Shikoni, mosnjohja e pesë vendeve të BE-së nuk ndikon në procesin e liberalizimit të vizave, sepse votimi i Këshillit të Ministrave është me shumicë të kualifikuar. Sigurisht që kjo në rrugëtimin tonë të mëtejmë në procesin e integrimit evropian (jo në liberalizim të vizave) do të mund të sjellë vështirësi, por ne besojmë që këto pesë vende do të reflektojnë pozitivisht me kalimin e kohës duke parë konsolidimin e mëtejmë të shtetësisë së Kosovës dhe avancimin e Kosovës në mekanizma e struktura ndërkombëtare.


FaktePlus: Në Bruksel Kosova herën e fundit ishe e përfaqësuar nga gjashtë burra, derisa ju si Ministri nuk ishit atje. Pse nuk keni udhëtuar ju për në Bruksel dhe si e keni parë përfaqësimin e Kosovës nga këtë burra?


Dhurata Hoxha: Ministria e Integrimit Evropian nuk është Ministri e Jashtme. Ne marrim obligimet nga Brukseli, të cilat duhet t’i zbatojmë në Kosovë, pra Kosova edhe kur do të anëtarësohet në BE do të mbetet këtu ku është në aspektin gjeografik, pra ne duhet të punojmë e veprojmë këtu. Secili institucion i Republikës së Kosovës ka planet dhe agjendat e veta, kurse drejtuesit e institucioneve veprojnë konform këtyre rregullave. Ka raste kur dinamikat e kërkojnë prezencën time në Kosovë, ndërkohë që ka raste kur duhet të jem jo vetëm në Bruksel, por edhe në kryeqytete të ndryshme evropiane. Për mua është e rëndësishme që të ecim tutje në procesin e integrimit evropian dhe në këtë drejtim nuk e shoh veten në konkurrencë me të tjerët, përkundrazi kontributet tona janë plotësuese ndaj zhvillimeve nëpër të cilat po kalon vendi.


FaktePlus: Çka përmbajnë tri marrëveshjet të cilat nuk u miratuan në seancën e javës së shkuar në Kuvendin e Kosovës?


Dhurata Hoxha: Asistenca financiare e BE-së dhe MSA janë obligime të Kosovës karshi BE-së dhe këto janë përtej partive politike. Është i pakuptimtë mos votimi i këtyre marrëveshjeve ku dizajnimi i tyre është bërë nga vetë Qeveria e kaluar. Pra, këto marrëveshje janë të interesit nacional dhe nuk duhet t’i shohim ngushtë. Kjo sepse këto marrëveshje ndikojnë direkt në forcimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës sipas praktikave dhe standardeve të BE-së.


Tash po flas për marrëveshjet që nuk u votuan. Të gjitha marrëveshjet me BE-në, të cilat kanë implikime financiare në buxhetin e Kosovës, duhet të miratohen në Qeveri dhe të ratifikohen në Parlament. Implikime financiare do të thotë që Kosova ka një pjesë të bashkëfinancimit të këtyre marrëveshjeve. Për secilën marrëveshje hartohet një projektligj përkatës, i cili duhet të miratohet me 2/3 e deputetëve sipas ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare. Në rastin konkret kemi të bëjmë me tri projekt-ligje që nuk u miratuan në Parlament:


Projekt-ligji për marrëveshjen e IPA 2017, pjesa e parë, përfshinë shumën prej 49 milion EUR. Kjo marrëveshje financiare rregullon zbatimin e programit IPA 2017, pjesa e parë, i cili përfshin 11 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së, të drejtat e njeriut, efiçiencën e energjisë, ekonominë digjitale, sigurinë ushqimore si dhe përkrahjen për lidhje më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale;


Ndërkohë që në lidhje me dy marrëveshjet tjera si Evropa për Qytetarët dhe ERASMUS vlen të theksohet që Ministria e Integrimit Evropian ka koordinuar procesin e negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes kornizë ndërmjet Kosovës dhe BE-së për qasje në 17 programet e BE-së, e cila pas nënshkrimit të saj më 25 nëntor 2016, përfundimisht ka hyrë në fuqi më 1 gusht 2017. Pra, nga 17 programet e BE-së; Qeveria e Kosovës më 5 prill 2017 ka marrë vendim që nga 17 programe të merr pjesë në 4 programe të BE-së, përkatësisht: i) Evropa për qytetarët; ii) COSME; iii) Erasmus+; dhe iv) Evropa kreative. Pra, këto marrëveshje (Evropa për Qytetarët dhe ERASMUS) i sjellin Kosovës përfitime multidimensionale si në arsim, pra aty ku kemi shumë nevojë, pastaj promovimin e qytetarisë aktive evropiane duke u përqendruar te autoritetet lokale, organizatat hulumtuese të politikave, grupet e qytetarëve dhe organizatat e shoqërisë civile, etj.


Pra, po e përsëris, mos votimi i këtyre tri marrëveshjeve nga subjekte të caktuara, të cilat në qeverinë e kaluar vetë i kanë vënë kornizat e këtyre marrëveshjeve, shkon në dëm të zbatimit të MSA-së, të cilën po ashtu e ka miratuar Qeveria e kaluar.


FaktePlus: Çka ka humbur vendi ynë me mosmiratimin e këtyre ligjeve?


Dhurata Hoxha: Mos votimi i këtyre marrëveshjeve të BE-së stopon zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës, pamundëson reformën e administratës publike, për çfarë institucionet e Kosovës kanë marrë obligimet e nevojshme për të lëvizur përpara. Kjo do të ketë pasoja edhe më të mëdha sa u përket fondeve tjera zhvillimore të BE-së dhe investitorëve të jashtëm në përgjithësi. Nëse ne dalim kundër asistencës zhvillimore të BE-së, atëherë kjo e vë seriozisht në dyshim tërë procesin e integrimit evropian në Kosovë, diçka që nuk është në interes të askujt.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO