Ministrja Hoxha për vizitën në Mal të Zi: S’kam folur me askënd atje për demarkacionin

 Prishtinë, 19 Tetor 2017-Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, nuk e ka diskutuar demarkacionin gjatë vizitës në Podgoricë, edhe pse Kosova dhe Mali i Zi, janë në kontest rreth kësaj teme. Hoxha, në një intervistë për Gazetën Express, nuk i komenton kushtet që i janë vënë Kosovës për të arritur deri te vizat. Thotë se është vonë që të diskutohet për to “Të drejta apo jo këto kushte i janë vënë Kosovës si kushte që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave dhe jemi këtu ku jemi”, thekson ajo.

GazetaExpress: Ministre, ju të hënën mbrëma jeni kthyer nga Mali i Zi, shtet ky me të cilin kemi nja situatë ende të pazgjidhur, atë të demarkacionit. A mund të na tregoni nëse gjatë vizitës tuaj me homologun malazez keni diskutuar për këtë çështje?

Hoxha: Qëllimi i vizitës sime në Mal të Zi ka qenë pjesëmarrja në shënimin e 10-vjetorit të nënshkrimit të MSA-së mes Malit të Zi dhe BE-së. Me këtë rast kam marrë pjesë si paneliste në dy panele, njëri për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kurse tjetri për rëndësinë e procesit të Berlinit. Me këtë rast kam shprehur përkushtimin e Kosovës për agjendën evropiane dhe kam bërë të qartë që Qeveria është e përkushtuar që të dinamizojë procesin integrues. Çështja e demarkacionit nuk ka qenë objekt i diskutimit në asnjërin nga takimet dhe as jashtë takimeve zyrtare.

GazetaExpress: Një ditë para vizitës tuaj në Mal të Zi, ju nuk e hodhët poshtë mundësinë që ky shtet të pranojë që shënjimi i kufirit me Kosovën të mundë të rinegociohet. A ka gjasa të ndodhë kjo dhe cilat ishin qëndrimet e zyrtarëve atje për këtë kauzë?

Hoxha: Sigurisht e keni fjalën për një intervistë që kam dhënë për një televizion të vendit. Intervista ime është keqinterpretuar dhe është nxjerrë nga konteksti. Unë asnjëherë nuk kam thënë që Mali i Zi qenka i gatshëm për të rinegociuar sepse Ministria e Integrimit Evropian nuk është duke u marrë me çështjen e demarkacionit, sepse e njëjta çështje është në nivel të kryeministrit dhe Qeverisë. Për më tepër unë nuk mund të bëj një deklaratë të tillë sepse nuk është në portofolin e punës sime.

GazetaExpress: Por çfarë realisht mendoni ju për bllokimin që po u bëhet kosovarëve për viza nëpërmjet demarkacionit si kusht thelbësor?

Hoxha: Besoj që tashmë është vonë që të diskutojmë për kushtet e vëna. Të drejta apo jo këto kushte i janë vënë Kosovës si kushte që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave dhe jemi këtu ku jemi. Megjithatë, më duhet të ritheksoj që qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të lëvizin të lirë si të gjithë qytetarët e vendeve të tjera, si qytetarë të lirë dhe asnjëherë të mos shihet si rrugë migrimi ilegal.

GazetaExpress: Po mundësinë e pajisjes së kosovarëve me pasaporta të Shqipërisë, si e komentoni? A është, sipas jush, kjo e vetmja zgjidhje dhe sa është e realizueshme kjo kur tashmë qëndrimet e zyrtarëve të lartë atje janë bërë të qarta?

Hoxha: Këtë çështje nuk e kam ngritur unë, as Ministria e Integrimit, andaj nuk mund të them asgjë rreth kësaj.

GazetaExpress: Kur jemi te liberalizimi i vizave, po bëhet gati një dekadë që është premtuar dhënia fund e izolimit të kosovarëve. Derisa as sot nuk kemi një afat të caktuar kohor se kur mund të hiqen ato. 2018-a, a mund të jetë vit i liberalizimit?

Hoxha: Tani për tani nuk mund të flas për afate konkrete, sepse ky është një proces i cili kërkon koordinim dhe ne nuk mund të flasim për afate në këtë fazë. Aq sa varet ky proces nga ne varet edhe nga BE-ja, e cila ka procedurat e veta të brendshme, të cilat, po ashtu, marrin kohë.

#Linku:http://www.gazetaexpress.net/intervista/interviste-hoxha-per-vizite-ne-mal-te-zi-s-kam-folur-me-askend-atje-per-demarkacionin-449793/

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO