Ministrja e Integrimit tregon kushtin që po pengon liberalizimin për Kosovën

Që nga shtatori i vitit të kaluar Ministria e Integrimeve Evropiane mbeti pa ministër, deri kur Mimoza Ahmetaj u emërua në postin e ministres së kësaj ministrie. Ahmetaj që ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës, Ambasadore në Mbretërinë e Belgjikës dhe këshilltare e kryeministrit Hashim Thaçi, ka folur për postin e saj në këtë ministri, sfidat në secilin post që ka pasur deri tani dhe liberalizimin e vizave.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Ministrja Ahmetaj ka thënë, se ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kushti i vetëm që nuk është plotësuar që do të mundësonte procedimin e mëtutjeshëm të liberalizimit të vizave dhe me ratifikimin e saj do të përmbyllet procesi i vizave.

Bota Sot: Keni qenë deputete, këshilltare, ambasadore dhe tani ministre. Cilin post e konsideroni më të vështirë?

Ministrja Ahmetaj: Të gjitha funksionet që i kam ushtruar deri tani kanë qenë të veçanta, sfiduese dhe kërkuese në mënyrën e vet. Në çdo pozitë menaxhuese që e kam pasur më ka begatuar me njohuri dhe përvoja të reja. E kam jetuar kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, lindjen e shtetit tonë si Deputete dhe ky do të jetë momenti më i shënuar në jetën time. Kam qenë Këshilltare në proces të shtetndërtimit, kam qenë Ambasadore në kohën kur Kosova e ka nënshkruar marrëveshjen e parë me BE-në, atë të Stabilizim Asociimit. Sot, jam Ministre kur Kosova është duke avancuar në procesin e integrimit në BE.

Bota Sot: Si e vlerësoni gjendjen aktuale në Kosovë dhe sa ndikon kjo gjendje në integrimin e Kosovës në BE?

Mimoza Ahmetaj: Ndërtimi i shtetit nuk është vijë lineare e ndërtimit të demokracisë. Ndërtimi i shtetit ka edhe shkarje nga kjo vijë lineare që na bënë të jemi më të vëmendshëm gjatë marrjes së vendimeve dhe qeverisjes së vendit. Në këto 9 vite sa jemi shtet Kosova ka shënuar progres të dukshëm në shumë fusha, e sidomos në atë të integrimit evropian me marrëveshjen e MSA e cila i ka hapur rruge Kosovës dhe e ka trasuar këtë rrugë drejt integrimit evropian.

Bota Sot: Cilat janë kushtet për liberalizim të vizave?

Mimoza Ahmetaj: Kosova i ka 95 kushte për liberalizimin e vizave.

Bota Sot: A është demarkacioni kushti kryesor për liberalizim siç po thuhet?

Mimoza Ahmetaj: Nga të gjitha kushtet vetëm kriteri i ratifikimit të demarkacionit ka mbetur pa u plotësuar.

Bota Sot: Kur do të mund të lëvizin pa viza qytetarët e Kosovës?

Mimoza Ahmetaj: Në momentin që ne e votojmë në Kuvend këtë kriter, do të procedohet më tutje të punohet me institucionet e BE-së në mënyrë që ky proces të përmbyllet. Këtë e vërtetoi edhe zonja Mogherini në vizitën e saj të fundit në Kosovë. Këtë e kanë konfirmuar edhe z. Juncker dhe z. Tusk, gjatë vizitës së presidentit Thaçi në Bruksel.

Bota sot: Çka përfiton Kosova nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit?

Mimoza Ahmetaj: Arritja e kësaj marrëveshje është treguesi më i mirë se kur ka vullnet gjërat mund të arrihen dhe sfidat mund të tejkalohen. Kosova është në proces të implementimit të MSA dhe implementimit të reformave të nevojshme që vendi të jetë sa më afër integrimit në BE. Përfitimet e Kosovës nga MSA do të jenë të shumta, e para, në aspektin politik kjo marrëveshje me Traktatin e Lisbonës dhe deklaratën e Selanikut është krijuar dhe është bërë kusht që shtetet e Ballkanit Perëndimor që kanë pretendime të integrohen në BE duhet që të ndërmarrin reforma rrënjësore ekonomike, politike dhe të sigurisë para se shteti të anëtarësohet në BE. Në aspektin ekonomik bizneseve në Kosovë nga një treg i vogël prej 2 milionë banorë, i janë krijuar mundësitë të eksportojnë në tregun e BE-së prej 500 milionë banorëve por, kuptohet që këto kompani duhet të garantojnë cilësi dhe të jenë konkurrente me ato të BE-së në mënyrë që të depërtojnë atje. Për Kosovën dhe rajonin poashtu do të jetë i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal në të gjitha sferat e jetës që kërkohet brenda MSA-së.

Bota Sot: A mendoni se mbetja e Ministrisë së Integrimeve pa ministër deri tani ka ndikuar negativisht në integrimin e Kosovës në familjen ndërkombëtare? Poashtu ka pasur njohës të çështjeve për integrime që kanë thënë se Ministria e Integrimeve është e panevojshme. Cili është komenti juaj për këtë?

Mimoza Ahmetaj: Emërimi im Ministre e Integrimit Evropian do të jetë shtytje për procesin e integrimit në të cilin ne po kalojmë si shtet. Ministria do te jetë funksionale dhe e përkushtuar në përmbushjen e agjendës shtetërore në këtë proces të rëndësishëm që ne po kalojmë.

Bota Sot: Si është Mimoza Ahmetaj jashtë politikës?

Mimoza Ahmetaj: Mimoza është një nga qytetarët e zakonshme që e jeton përditshmërinë e Kosovës si të gjithë qytetarët tjerë. Jetoj në Prishtinë ku edhe kam lindur dhe për mua mbetet vendi ku unë inspirohem për punë dhe njëkohësisht e gjejë qetësinë së bashku me familjen time.

Bota sot: Me profesion jeni doktoreshë. Sa kanë lidhshmëri mes vete këto dy profesione?

Mimoza Ahmetaj: Detyrat politike nuk janë çdo herë të ndërlidhura me profesionin, por tani e kam shumë më të afërt pozitën e Ministres së integrimit Evropian, se sa profesionin e mjekes. Megjithatë në çdo gjë ekziston një lidhshmëri, në shëndetësi ekziston Betimi i Hipokratit që çdo mjek zotohet se do ta përfillë gjatë ushtrimit të profesionit si mjeke e edhe në politikë mundohem që t’i qëndroj të njëjtit zotim se do ta kryej punën time me përkushtimin maksimal.

Bota sot: Sa keni kohë të përkushtoheni ndaj familjes?

Mimoza Ahmetaj: Familja mbetet përkushtimi im. Nëse gjatë javës jam shumë e angazhuar me punë, vikendin mundohem që ta kaloj maksimalisht me familjen time.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO