Hoxha:OJQ-të u bënë instrument i politikës, rasti ‘Dehari’ mbyllet pas hetimit të pavarur

Prishtinë, 2 Prill 2017-Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha thotë se radikalizmi si dukuri ka depërtuar edhe në burgjet e Kosovës, por beson se Shërbimi Korrektues në bashkëpunim me organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare për hetim dhe sundim të ligjit i ka marrë të gjitha masat që ta ketë situatën nën kontroll.
Në një intervistë për lajmi.net, ministrja Hoxha theksin se bashkëpunim shumë i rëndësishëm për institucionet e Kosovës lidhur me këtë problematikë është ai me Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Të gjithë këta persona janë të identifikuar dhe monitorohen nga personat përgjegjës të burgjeve. Së shpejti do të kemi edhe një strategji që do të merret me çështjen e deradikalizimit”, thotë ministrja Hoxha.

Në këtë intervistë zonja Hoxha flet edhe për raportin e Progresit të BE-së ku konstatohen ndërhyrje në sistemin e Drejtësisë, pastaj flet për rastin e Astrit Deharit, reformën në drejtësi, etj.

Intervista e plotë për lajmi.net:

Lajmi.net: Raporti i Progresit dhe disa raporte të tjera të organizatave ndërkombëtare, por edhe vendore e kanë kritikuar Kosovën në raport me luftimin e korrupsionit, por edhe të sundimit të ligjit në përgjithësi. Sipas Raportit të Progresi të BE-së, politika ka ndikim të madh në sistemin e drejtësisë, gjë që po ndikon që të mos ketë sundim të mirëfilltë të ligjit. Si e vlerësoni ju këtë raport, pra që flet për ndërhyrje të politikës në drejtësi?


Dhurata Hoxha: Kjo çështje është trajtuar me kujdes, mbase këto rekomandime për shtetet e caktuara si rasti ynë, në procesin integrues, janë jetike të përmbushen. Sundimi i ligjit është prioritet i BE-së për shtetet aspirantë andaj, në veçanti është parë edhe çështja e ndërhyrjes së politikës në drejtësi.

Me qellim që të mënjanohet çdo ndikim në sistemin e drejtësisë, veçmas prokurorit të shtetit t’i mundësohet kryerja e punës në mënyre të papenguar dhe me qëllim të shmangies eventuale të mundësisë së pengimit të procedurave hetimore dhe gjyqësore, kemi kontribuuar që me ligj të bëhet suspendimi i kategorive të caktuara të zyrtarëve publik, kjo konsiderohet si rrethanë që i kontribuon luftimit më të suksesshëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e zyrtarëve publik, ata të suspendohen nga marrëdhënia e punës, për vepra të caktuara penale dhe atë veprat të cilat ndërlidhen me korrupsionin, krimin e organizuar si dhe me keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Me ndryshimin e nenit 94 të projektligjit Ekzekutimin e Sanksioneve Penale sipas të cilit, Ministri si i emëruar politik, kishte mundësi të pezulloj ekzekutimin e dënimit dhe është vlerësuar si mundësi për ndërhyrje politike në drejtësi. Kështu, Ministria e Drejtësisë eliminon mangësitë me rastin e ekzekutimit të sanksioneve penale.

Vlerësoj se ndryshimi i nenit 94 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, sipas të cilit, Ministri si i emëruar politik, kishte mundësi të pezullojë ekzekutimin e dënimit – ka ndryshuar, kjo ishte parë si mundësi e ndërhyrjes së politikës në drejtësi.

Do theksuar se ky projektligj është i një rëndësie të veçantë sepse mënjanon ndikimin politik në ekzekutimin e sanksioneve penale. Kështu dëshmojmë se vërtet jemi për reforma, sundim të ligjit dhe për sistem mbi vlerat dhe parimet ndërkombëtare.

Lajmi.net: Çfarë po ndodh me reformën në sistemin e drejtësisë dhe cilat janë pikat me të ndjeshme që presin reformim?

Dhurata Hoxha: Reformimi i sistemit të drejtësisë synojnë të jetë i thellë dhe gjithëpërfshirës. Ministria e Drejtësisë është duke punuar në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Agjenda për Reforma Evropiane, e quajtur ERA. Ministria e Drejtësisë është duke punuar në disa drejtime kryesore, jemi duke përgatitur Termat e Referencës për Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Ky proces është duke u bërë në bashkëpunim të ngushtë me BE-në dhe Ambasadën Amerikane. Jemi duke punuar për përgatitjen e dokumenteve të nevojshme për mbarëvajtjen e tërë procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Prioritet është rishikimi i legjislacionit penal dhe atij kundër-korrupsion dhe është pjesë aktiviteteve për vitin 2017.

Kemi themeluar Grupin Punues për hartimin e koncept dokumentit për “Rishikimin dhe miratimin e legjislacionit që e bën të detyrueshëm pezullimin dhe/ose largimin e zyrtarëve publik të akuzuar dhe dënuar për korrupsion”.

Kemi hartuar projektligjin për “Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, i cili pas miratimit nga Qeveria tashmë është në Kuvend.

Vlen të theksohet që ky projektligj është hartuar në harmoni të plotë me legjislacionin e BE-së dhe në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ekspertët e Këshillit të Evropës dhe Zyra e BE-së në Kosovë.

Sa i përket “Projektligjit për Prokurorin e Shtetit”, përkatësisht rishikimi i dispozitave që i referohen çështjes së emërimit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale. Në këtë kuadër kemi themeluar Grupin Punues për ndryshimin e ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe jemi duke u përpjekur që ky proces të përfundojë brenda 6 mujorit të parë të këtij viti.

Kemi themeluar edhe Grupin Punues dhe Grupet Tematike për hartimin e Kodit Civil të Kosovës. Në këtë drejtim kemi mbështetjen e BE-së përmes një projekti që do të zgjasë nga shkurti 2017 deri në shkurt 2020.

Lajmi.net: Të flasim për gjendjen në burgjet e Kosovës. Vazhdimisht është raportuar për probleme në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe korrupsion të lartë në këtë Shërbim. Cila është gjendje që ju e keni gjetur në këtë Shërbim?

Dhurata Hoxha: Shërbimin Korrektues e kam gjetur në një gjendje relativisht stabile edhe pse në vitet e fundit, në medie publikohej se ky shërbim kishte një sërë incidentesh dhe skandalesh. Nga fund viti 2015 SHKK menaxhohet me Ushtrues Detyre të Drejtorit të Përgjithshëm.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndërmarrë disa masa për luftimin e korrupsionit, janë ngritur disa aktakuza në lidhje me individë si edhe grup të oficerëve korrektues, 3 nga ta edhe janë dënuar dhe gjenden në vuajtje të dënimit.

Prokuroria e Shtetit ka ngritur edhe dy aktakuza për shpërdorim detyre ku në njërën janë të akuzuar 8 oficerë kurse në tjetrën 10 zyrtarë duke përfshirë edhe një Zëvendësdrejtor të Përgjithshëm dhe Drejtor institucionesh.

Lajmi.net: Kontrabanda dhe korrupsioni janë dy prej problemeve me të cilat është duke u ballafaquar Shërbimi Korrektues i Kosovës. Çfarë keni ndërmarrë që gjendje të përmirësohet sa i përket këtyre dy problemeve që e kanë përcjellë Shërbimin Korrektues që nga paslufta?

Dhurata Hoxha: Si problem themelor me të cilin përballet ky shërbim është mungesa e buxhetit, në vitet e kaluara më shumë është investuar në infrastrukturë të ndërtimit- janë ndërtuar 3 burgje të reja. Si problem me të cilën është përballur në vitet e fundit menaxhmenti i SHKK-së është kontrabanda (mjetet e ndaluara) si dhe korrupsioni.

Ne si ministri dhe menaxhmenti aktual i SHKK-së kemi marrë masa për suspendimin e tyre për të mos penguar rrjedhjen e hetimeve apo ndikimin në hetime.

Për vitin e ardhshëm, parashihet që të ngritet niveli i sigurisë në institucionet korrektuese duke u pajisur me mjete më të sofistikuara për vëzhgim dhe monitorim. Po ashtu, është shtuar numri i kontrolleve në burgje dhe bazuar në statistika krahasuar me vitin e kaluar për 50% është parandaluar futja e mjeteve apo pajisjeve kontrabandë (në flagrancë) nga ana e vizitorëve për të burgosurit përmes vizitave, gjatë pranimit të pakove ushqimore, hyrjes së kontraktorëve dhe kthimit të burgosurve nga vikendi.

Po ashtu, tash do të plotësojmë vendet e zbrazëta sipas organogramit dhe strukturës udhëheqëse të burgjeve që do të ndikoj në motivimin e stafit dhe ngritjen e llogaridhënies në SHKK.

Lajmi.net: Po ashtu njëri nga problemet madhor në burgjet e Kosovës është paraqitja e radikalizmit islam. A është perceptim kjo apo realisht po ndodh ky radikalizim?

Dhurata Hoxha: Radikalizmi si dukuri ka depërtuar edhe në burgje. SHKK në bashkëpunim me organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare për hetim dhe sundim të ligjit i ka marrë të gjitha masat që ta ketë situatën nën kontroll. Bashkëpunim shumë i rëndësishëm për ne është ai me Bashkësinë Islame të Kosovës. Të gjithë këta persona janë të identifikuar dhe monitorohen nga personat përgjegjës të burgjeve. Së shpejti do të kemi edhe një strategji që do të merret me çështjen e deradikalizimit.

Lajmi.net: Organizatat e shoqërisë civile kanë organizuar peticion për zbardhjen e rastit të vdekjes së Astrit Deharit. Për juve si ministre, a është mbyllur ky rast apo ende nuk e ka marrë epilogun përfundimtar?

Dhurata Hoxha: OJQ-të, jo një herë, janë bërë instrument i politike ditore, madje duke politizuar ndonjë rast siç ishte rasti i Astrit Deharit. Zbardhjen e rastit e kanë për obligim ta kryejnë institucionet përgjegjëse, prandaj kam pritur që OJQ-të të reagojnë kundër presionit që i bëhet organeve të drejtësisë rreth çështjes. Rolin e organeve të hetuesisë, prokurorit as të gjykatësit nuk mund ta zëvendësojë askush. Rasti Dehari është ende në proces dhe presim që të përfundojë pas realizimit të kërkesës së familjes për hetimin e pavarur.

Lajmi.net: Familja Dehari ka bërë të ditur se do të angazhojë ekspertë zviceranë për hetimin e rastit “Dehari”. A ju ka njoftuar familja dhe kush do t’i mbulojë shpenzimet?

Dhurata Hoxha: Vendimi i Kuvendit është i qartë, dhe ne do të veprojmë sipas tij. Sipas këtij vendimi, i mundësohet Familjes të angazhojë institucione kredibile nga cilido vend i BE-së apo ShBA-së dhe më këtë rast, Qeveria e Kosovës duhet t’i mbulojë tërësisht shpenzimet për çdo ekspertizë shtesë.

Lajmi.net: Kohë më parë ka qarkulluar një letër e juaj dërguar kryeprokurorit Lumezi ku ju si ministre kërkoni hetim për avokatin Tomë Gashi dhe dy mjekët patologë të angazhuar nga familja Dehari. Çfarë kërkoni konkretisht nga kryeprokurori i Shtetit?

Dhurata Hoxha: Në rast se hidhen dyshime ndaj të gjeturave të hetuesisë apo prokurorisë, dyshime ndaj të gjeturave nga institucioni profesional dhe kredibil nga persona zyrtar, atëherë, konsideroj se dy të vërteta nuk mund të jenë. Kam kërkuar që të verifikohen supozimet e personave që ngrisin dyshime ndaj të gjeturave të institucioneve përgjegjëse.

Organet e drejtësisë mund të kontestohen mbi bazën e supozimeve, por është e drejtë që me ato supozime të merren organet përgjegjëse dhe të mos qarkullojnë si akuza ndaj institucioneve pa u verifikuar ato dhe pa marrë përgjigje zyrtare. Konsideroj se presioni ndaj organeve të drejtësisë ishin të motivuara politikisht, të pashembullta dhe të njëanshme.

Lajmi.net: Cili do të jetë bashkëpunimi i mundshëm i Ministrisë së Drejtësisë me Gjykatën Speciale e cila zyrtarisht ka nisur punën në janar të këtij viti?

Dhurata Hoxha: Ministria e Drejtësisë lidhur me çështjen e Gjykatës speciale nuk ka asnjë përgjegjësi, andaj bashkëpunimi ynë me këtë institucion do të jetë në pajtim me këtë përgjegjësi.

#Linku:http://lajmi.net/hoxha-ojq-te-u-bene-instrument-i-politikes-rasti-dehari-mbyllet-pas-hetimit-te-pavarur/ 

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO