Hoxha: Kosova, përpos BE-së, nuk ka alternativë tjetër

Prishtinë, 16 Tetor 2017 - Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë me dije se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është e vetmja alternativë.


Në këtë intervistë dhënë për gazetën "Epoka e re", ministrja Hoxha ka theksuar se Kosova e meriton të jetë pjesë e BE-së. Ajo ka bërë thirrje që në proceset integruese të Kosovës të vazhdojë konsensusi aktual pozitë-opozitë. Hoxha ka pranuar se ka vonesa në zbatimin e MSA-së por kjo, sipas saj, ka ndodhur për shkak të zhvillimeve politike që kanë ndodhur kohët e fundit në Kosovë. Miratimin e marrëveshjes së IPA-s 2016 në Kuvend ministrja Hoxha e vlerësuar arritje të madhe për Kosovën. Hoxha ka theksuar se marrëveshja IPA 2016 do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenien e qytetarëve.

 
"Epoka e re": Znj Hoxha, par pak ditësh u miratua projektligji për IPA 2016. Çfarë pritjesh keni nga kjo marrëveshje?
Hoxha: Shuma e IPA-s e marrëveshjes financiare në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian është 71.15 milionë euro. Është një shumë e konsiderueshme e parave, pra asistencë që do t’i jepet drejtpërdrejt Kosovës dhe nga e cila do të përfitojnë qytetarët e Kosovës. Konkretisht, këto mjete pikësëpari do të ndahen në disa sektorë. Kjo shumë prej 71.5 milionë eurosh do të ndahet për zhvillimin ekonomik, që t’i përgatisim ndërmarrjet tona në lidhje me konkurueshmërinë, në mënyrë që ndërmarrjet tona të jenë sa më afër tregut evropian e, po ashtu, të jenë të gatshme të konkurrojnë qoftë me konkurueshmëri, qoftë në tregun e punës, si dhe me kapacitetet dhe burimet njerëzore. Mandej një shumë e konsiderueshme do të jepet për zhvillimin e komuniteteve, ku hyjnë projektet e ndryshme që promovojnë komunitete që jetojnë në Kosovë, një shumë e konsiderueshme po ashtu do të jepet në fushën e arsimit të lartë si dhe në kompatibilitetin e arsimit të lartë me nevoja të tregut të punës, në mënyrë që të bëhet një ndërlidhje sa më e mirë në këtë drejtim, pra që qytetarët dhe të rinjtë tanë, kur ta përfundojnë edukimin dhe diplomat që i marrin, me të vërtetë të jenë të vlefshme dhe të mund të qasen menjëherë në tregun e punës. Tjetër gjë që ndihmon IPA 2016, përkatësisht kjo marrëveshje, është edhe përafrimi i legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së, që është një shtyllë kryesore e rrugëtimit tonë. Përafrimi i legjislacionit është një përgjegjësi shumë e madhe e shtetit të Kosovës, pasi nevojitën kapacitete dhe nevojitet që i gjithë legjislacioni ynë të përafrohet me legjislacionin e BE-së, pra të gjitha ligjet e të gjithë sektorëve, e jo vetëm në sundimin e ligjit që është e kuptueshme që është prioritet. Pra, të gjitha ligjet nëpër të gjithë sektorët ne duhet t’i reformojmë dhe harmonizojmë për hir të integrimeve evropiane dhe këtë e ndihmon IPA. Pra, na ndihmon me ekspertë, me çështje konkrete në fushën e zbatimeve të ligjeve, e që është një ndihmë konkrete që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të përfitojnë qytetarët e Kosovës.

 
"Epoka e re": Të çfarë natyre janë projektet që pritet të dorëzohen, që janë në kuadër të ndihmës së IPA-s?
Hoxha: Projektet do të jenë në kuadër të këtyre fushave, pra zhvillim ekonomik, konkurrueshmëria nëse, për shembull, kompanitë e ndryshme kanë nevojë për rritjen e kapaciteteve apo përmirësimin e pasjeve, atëherë këto projekte do ta bëjnë këtë, pra rritjen e konkurueshmërisë, që nënkupton se kompanitë tona të jenë të afta të garojnë me ato të Bashkimit Evropian qoftë me kualitet, me punëtorë apo edhe me kapacitete prodhuese.

 
"Epoka e re": Fondet e IPA-s jepen në disa mënyra, qoftë nëpërmjet subvencioneve, trajnimeve apo edhe financimit të drejtpërdrejtë. Si do të jepet ky fond në rastin e Kosovës?
Hoxha: Të gjitha format janë të kombinuara, varësisht se si shihet më mirë forma e projektit. Do t’i zgjedhim mënyrat se si Kosova përfiton sa më shumë, nëse është në formë të granteve, subvencioneve, apo edhe në formën e bashkëpunimit. Varësisht nga natyra e projektit dhe qëllimi që ne duam të arrijmë. Është më se e qartë se qëllimi që ne duam të arrijmë është që ato fonde ta ndihmojnë sa më tepër Kosovën për përafrimin drejt BE-së.

 
"Epoka e re": Ju thatë se këto fonde do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik. A mendoni se është bërë ndonjë pilot-projekt konkret në këtë drejtim dhe nëse keni caktuar ndonjë objektiv se sa do të ndikojë në uljen e papunësisë dhe mirëqenien qytetarëve?
Hoxha: Çdoherë lidhur me IPA-n, projektet negociohen paraprakisht dhe me ministritë e linjës merren vesh në linja të trasha. Nuk është se do të mund të lëvizim shumë me projekte të ndryshme, edhe pse është një shumë e caktuar që do të na japë atë mundësi, mirëpo prioritetet që nga ministritë na kanë ardhur për IPA 2016 janë zhvillimi ekonomik, arsimi etj.

 
"Epoka e re": Tani kemi dhe Ministrinë e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit. Keni ndonjë kërkesë për projekte në kuadër të kësaj ministrie.
Hoxha: Jo. Një gjë duhet ta sqaroj, se fjala është për fondet IPA-s 2016 në vitin 2016. Pra, projektet që ministritë na i kanë dhënë në vitin 2016 fillojnë të zbatohen tash. Ndërsa projektet që vijnë në këtë vit do të fillojnë të financohen nga janari i 2018-s. Mënyra e financimit të projekteve është zinxhirore, duke u bazuar në projektet e vitit paraprak. Nëse Ministria e Inovacionit këtë vit ka projekte konkrete që ndikojnë në uljen e papunësisë, atëherë patjetër se ne do t’i marrim parasysh, sepse prioriteti ynë është t’i zhvillojmë ekonominë dhe arsimin.


 
"Epoka e re": Znj. Hoxha, nga këndvështrimi juaj, si e shihni mundësinë e krijimit të Zonave Ekonomike Ballkanike?
Hoxha: Çdo iniciativë që e promovon idenë e integrimit evropian, por jo ndonjë zëvendësim, është e mirëseardhur. Zona ekonomike s’duhet të jetë ide që ta zëvendësojë Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, as nuk do të pranohet nga ne, pra duhet të jetë diçka që me të vërtetë e promovon bashkëpunimin mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve si rajon, që ka mbetur ende pa u integruar në BE. Personalisht në këtë mënyrë e shoh dhe ky do të duhej të ishte qëllimi. Mirëpo, nëse mendohet të jetë zëvendësim për integrime evropiane, atëherë asnjëra nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk besoj se e ka interesin të bëhet pjesë e kësaj zone.

 
"Epoka e re": A do të duhej që Kosova të bëhej pjesë e kësaj zone?
Hoxha: Kosova në një mënyrë apo tjetër nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është pjesë e Bashkimit Evropian dhe e tregut evropian. Ne kemi lehtësira të ndryshme ekonomike dhe prodhimet tona mund të konkurrojnë për shitje, të eksportohen në Bashkimin Evropian. Investitorët e huaj që vijnë në Kosovë e kanë një qasje të papenguar tani në tregun e BE-së. Kjo sigurisht se është bërë në këndvështrimin që disa barriera që ekzistojnë nëpërmjet shteteve të Ballkanit të eliminohen. Nëse një prodhues i Kosovës dëshiron t’i eksportojë mallrat e veta në tregjet e Bashkimit Evropian, patjetër se duhet të kalojë përmes Shqipërisë, Malit të Zi ose, ndoshta, edhe përmes dy apo më shumë shteteve si Serbisë, Bosnjës apo edhe Maqedonisë. Pra, varësisht se çfarë rruge merr, ky proces i ndihmon prodhuesit tanë t’i përgatisin vetëm një parë dokumente për të gjitha këto shtete, në mënyrë që të shkurtohen procedurat burokratike. Andaj, nuk është qëllimi që të krijohet një "mini-BE", ta quaj kështu, apo larg qoftë të replikohet ndonjë ish-Jugosllavi, sepse ajo storie për ne është shumë e dhimbshme dhe s’ka kthim mbrapa çfarëdo qoftë që i ngjan atij modeli, sepse është treguar se ka qenë model i pasuksesshëm. Por, në rast se do të kemi një zonë ekonomike ballkanike, duhet të jetë gjithmonë në funksion të përkrahjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik, qoftë të Kosovës apo vendeve të rajonit.

 
"Epoka e re": Kishte deklarata nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, se jemi vonuar në drejtimin e MSA-së. Sipas jush, a ka vonesa në këtë drejtim?
Hoxha: Është e vërtetë se jemi vonuar në këtë drejtim. Pikësëpari jemi vonuar për shkak të zhvillimeve politike që kanë ndodhur te ne, pasi ishin zgjedhjet dhe koha e krijimit të Qeverisë. Mirëpo tani duhet të theksojmë se Qeveria e Kosovës, kryeministri, Ministria e Integrimeve si dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, jemi partnerë dhe jemi të interesuar ta zëmë hapin dhe t’i shtojmë punët, si dhe të jemi në proporcion me hapat që dalin nga MSA-ja. Pra, qysh tani kemi filluar të punojmë me hapa të shpejtë dhe kemi mbledhur takimin e parë të Këshillit Ministror gjatë kësaj qeverie, takim ky që nuk është mbajtur nga muaji maj i vitit 2013. Kjo nuk do të thotë se shumë gjëra s’janë bërë që nga atëherë, por vendimet politike dhe reformat duhet t’i ndërmarrim. Pra, ky forum (Këshilli Ministror) u mundëson të gjitha ministrive të linjës që të vazhdojnë dhe të përformojnë në mënyrë sa më të mirë të mundshme, por që t’i zbatojnë edhe obligimet që dalin nga MSA-ja.

 
"Epoka e re": Zakonisht marrëveshjet ndërkombëtare i bëjnë bashkë pozitën dhe opozitën. Rasti i fundit ishte me IPA-n. Përgjithësisht politika vendore sa mund ta determinojë punën tuaj në procesin e integrimeve?
Hoxha: Në lidhje me marrëveshjen e IPA-s, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj deputetët për përkrahjen, pasi ky Projektligj mori 98 vota për dhe është një arritje e madhe për Kosovën. Ne kemi dhënë sinjal se integrimi euroatlantik vazhdon të jetë prioriteti ynë nacional. Ky proces është një ndër çështjet e pakta që ne ende kemi konsensus të brendshëm. E them këtë duke marrë parasysh rrethanat politike në të cilat jemi. Ftoj të gjitha partitë politike që të bashkëpunojnë dhe të gjitha ligjet që ndërlidhen me agjendën evropiane t’i kalojmë dhe ta gjejmë gjuhën e përbashkët. Ngjyrimet politike mbesin vetëm politike. Nganjëherë duhet të dalim përtej interesave partiake dhe ta promovojmë agjendën evropiane e cila do të thotë shumë për qytetarët e Kosovës. Nëse ne arrijmë t’i çojmë reformat në këtë proces përpara, në mënyrë të shpejtë edhe jeta e qytetarëve të Kosovës do të përmirësohet. Pra, jo vetëm pse unë apo cilido ministër dëshirojmë të bëjmë diçka, por kemi të bëjmë me reforma që në mënyrë të drejtpërdrejtë e përmirësojnë jetën e qytetarëve. Nëse jemi kundër këtyre obligimeve atëherë jemi kundër përmirësimit të jetës së qytetarëve. E përsëris, u jam falënderuese të gjithë deputetëve për hapin që ndërmorën dhe miratuan projektligjin për IPA-n. Shpresoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe me obligimet e tjera që na presin.

 
"Epoka e re": Që nga marrja e detyrës suaj në krye të ministrisë së Integrimit Evropian keni pasur disa takime edhe me përfaqësues ndërkombëtarë. Cili është mesazhi për politikbërjen tonë nga akterët ndërkombëtarë?
Hoxha: Kam takime të rregullta, qoftë me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, qoftë me të Ambasadës Amerikane. Këto ditë kemi pasur fatin të kemi vizita edhe nga Brukseli. Së fundmi patëm për vizitë ministrin e Jashtëm të Finlandës, shtet ky që na ka përkrahur çdoherë në rrugëtimin tonë. Mesazhi që pranojmë në mënyrë konsistente nga të gjitha këto takime është se Kosova tanimë e ka të qartë perspektivën evropiane, por edhe ne duhet të punojmë shumë për ta dëshmuar këtë gjë. Ne meritojmë të jemi në Bashkimin Evropian dhe këtë duhet ta bëjmë ne politikbërësit që të punojmë dhe t’i zbatojmë obligimet që i kemi marrë si shtet, në anën tjetër t’ua përmirësojmë jetën qytetarëve tanë. Integrimi në Bashkimin Evropian për ne s’ka tjetër alternativë. Këtë gjë duhet t’ua bëjmë të qartë edhe atyre vendeve që janë skeptike për ne. Duhet ta kemi parasysh se deri më tani Kosova ka pasur fatin që edhe vendet që nuk e kanë njohur e kanë mbështetur këtë proces. Shpresoj se kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen. Ne si ministri e Integrimit Evropian do të punojmë edhe me ato vende që ende nuk na kanë njohur, në mënyrë që gjithmonë të kemi përkrahje sa më të madhe në rrugën tonë drejt BE-së.

#Linku

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO