E ardhmja e gjithë rajonit është në Bashkimin Evropian

Prishtinë, 10 Mars 2017 - Bashkimi Evropian është krijuar mbi bazën e tre parimeve themelore: lirisë, barazisë dhe sigurisë. “Paqja globale nuk mund të mbrohet pa përpjekje të vazhdueshme kur merren parasysh rreziqet që e kërcënojnë atë. Kontributi i qytetarëve të Evropës është i domosdoshëm për ruajtjen e paqes”, ishte idea dhe vizioni i Ministrit të Jashtëm Francez, Robert Schuman, themeluesit dhe ideatorit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian. U nevojitën dy luftëra botërore për të kuptuar rëndësinë e fjalës liri dhe paqe.


Në përvjetorin e 60-të të Traktatit të Romës, shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë duke u ballafaquar me situatën e njëjtë që Schuman, Adenauer dhe Spinelli u ballafaquan në fillim të këtij rrugëtimi që e bëri BE-në demokracinë më të avancuar, fuqi ekonomike me stabilitet politik dhe të drejta të garantuara për qytetarët e saj. Njëkohësisht, edhe qytetërimin përgjegjës ndaj asaj për të cilën u investua me shumë mund dhe që paraqet vlerë të patjetërsueshme.


Në këtë periudhë kur BE po ballafaqohet me sfida të shumta si me krizën e Ukrainës, refugjatëve, ekstremizmin, Brexit-in, po krijohet hapësirë e mjaftueshme për të besuar se forcat politike të ekstremit të djathtë do të vazhdojnë të rriten dhe me këtë do të kërcënojnë të ardhmen e BE-së. Zgjedhjet presidenciale në Austri ishin treguesi më i mirë se efekti domino i Brexit-it nuk u arrit. Poashtu, tendenca për të bërë ndryshime kushtetuese në Itali, nuk prodhoi rritje të rrymave anti-evropiane në vend. Edhe pse tri nga shtetet themeluse të BE-së: Holanda, Franca dhe Gjermania, këtë vit do të kenë zgjedhje, treguesit e deritanishëm tregojnë se në të trija këto vende shanset për fitore të forcave të ekstremit të djathtë janë larg realitetit dhe ato pro-evropiane do të vazhdojnë të mbeten në pushtet.


Tendenca e shteteve anëtare që qeveritë e shteteve anëtare të kenë më tepër kompetenca apo të shkëputen nga BE, më së miri është përshkruar nga Presidenti Donald Tusk kur thotë se: “Kjo vetëm sa do t’i bënte shtetet të renditen përkrah superfuqive por asesi që të kenë pavarësi dhe kompetenca më të mëdha nga Brukseli”. 


Në këtë kohë shtetet e Ballkanit perëndimor poashtu po kalojnë një periudhë sfiduese. Të gjitha shtetet janë në periudha të ndryshme të negociimit për anëtarësim në BE. Disa në periudha para apo pas zgjedhore të ndikuara direkt ose indirekt nga ndikimi Rus dhe, tendenca për të dominuar, e bënë rajonin më të pasigurt.


Pavarësisht që programi i Presidentit Juncker nuk e parasheh zgjerimin e BE-së në këtë mandat, secila nga shtetet kandidate dhe potenciale, ka shënuar progres në rrugëtimin drejt integrimit. Kosova ka nënshkruar MSA-në, Serbia i ka hapur negociatat për anëtarësim, Shqipëria dhe Bosna e Hercegovina e kanë fituar statusin kandidat, Shqipëria pret që deri në fund të vitit t’i filloj negociatat nëse avancon në reformën për drejtësi. Ndërkohë që Maqedonia është vendi i cili për shkak të problemeve në fqinjësi si edhe problemeve të brendshme ka ngecur për vite të tëra dhe sa shkon e situata bëhet më e komplikuar. Mali i Zi tashmë është vendi që më së shumti ka avancuar në këtë proces me hapjen e disa kapitujve dhe është pranë anëtarësimit në NATO.


Në këto vite kemi pasur mundësi të shohim se integrimi në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor është zgjidhja e vetme dhe që ofron stabilitet politik, prosperitet ekonomik dhe siguri për qytetarët tanë që ende jetojnë në një rajon të ndjeshëm politikisht. Ballkani Perëndimor është në Evropë dhe përkufizohet me shtetet anëtare të BE-së dhe ndodhet në mes të rrugëve që e lidhin Evropën dhe më gjerë në jug e veri, lindje e perëndim.


Bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë do të jenë fjalët kyçe që do të ndihmojnë rajonin që të avancoj në këtë rrugëtim. Ballkani Perëndimor përbën një treg të vogël prej 20 milion banorëve në krahasim me tregun e BE-së që është mbi 500 milion banorë. Vetëm rritja e cilësisë dhe konkurrentshmëria mund t’i bëjë produktet tona konkurente me tregun evropian.


Në këtë proces që kërkon energji të pashtershme dhe vullnet të të gjithë shoqërisë mbetet përgjegjësi nëse shtetin tonë do ta reformojmë që një ditë kur të jetë anëtare me të drejta të plota “të jetë vlerë për BE-në” dhe jo pengesë siç kishte thënë në një nga takimet e para Komisioneri Hahn, menjëherë pas emërimit të tij si Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim.


Kosova e ka nje popullatë të re dhe të arsimuar. Qëndron mbi resurse të pafundme natyrore dhe ka një klimë të mrekullueshme, tokë të begatshme dhe e gjithë ajo që kërkohet nga ne është të vazhdojmë rrugën që e kemi filluar që nga dita e nënshkrimit të MSA-së, që njëherit edhe ka hapur rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE.


Bashkimi Evropian nuk do të jetë i tërësishëm pa Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vizita e Përfaqësueses së Lartë, Frederica Mogherini në Kosovë dhe në rajon dy herë brenda një viti e dëshmon përkushtimin e BE-së për integrimin e rajonit sa më parë që është e mundur.


#Linku

 

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO