AHMETAJ: VOTOJENI DEMARKACIONIN QË TA FITOJMË LIBERALIZIMIN E VIZAVE

Prishtinë, 9 Mars 2017 - Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që sa më parë ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, ngase ka thënë se është kriteri i vetëm i mbetur për ta realizuar të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm në Zonën Shëngen.


Në një intervistë për Radio Kosovën, Ahmetaj theksoi se këtë e ka konfirmuar edhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, gjatë vizitës së fundit në Kosovë, e cila tha se është shënuar progres në kriterin tjetër, që është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ministrja, Ahmetaj, theksoi se sa më shpejt që të ratifikohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, aq më shpejt Kosova do t’i afrohet fundit të pritjes së liberalizimit të vizave, ndërsa shprehu besimin se deputetët do të reflektojnë në këtë rast.


Radio Kosova: Sapo e keni marrë detyrën e ministres së Integrimit Evropian, sa jeni ambientuar aty dhe si e keni gjetur këtë ministri, duke pasur parasysh që një kohë bukur të gjatë ka qenë pa ministër?

Ahmetaj: E para, fakti që unë jam emëruar tani jo shumë kohë më parë si ministre e Integrimit Evropian, në punën dhe në proceset në të cilat Ministria e Integrimit Evropian është duke u marrë, ka qenë vetëm një shtytje e vogël, sepse mekanizmat brenda ministrisë, zyrtarët të cilët merren me agjendën e Kosovës drejt integrimit evropian, janë mjaft të familjarizuar dhe profesionalë në këtë drejtim. Për mua, ky post është një përgjegjësi e madhe dhe unë do të mundohem që besueshmërinë që partia ma ka dhënë dhe kryetari i partisë, Kadri Veseli, ta arsyetoj dhe mandatin tim ta çoj deri në fund. Do të mundohem që besimin që partia dhe kryetari i partisë ma kanë dhënë ta arsyetoj në formën më të mirë që Kosova dhe qytetarët e saj e meritojnë.


Radio Kosova: Cilat janë prioritetet tuaja kryesore si ministre e Integrimit Evropian?

Ahmetaj: Prioritetet e mia si ministre janë në harmoni me qëndrimet e partisë dhe të Qeverisë së Kosovës. Jemi duke punuar në disa segmente. E para, jemi duke u angazhuar rreth implementimit të MSA-së, dokument i cili ia ka hapur rrugën Kosovës drejt integrimit evropian. Janë formuar mekanizma të obligueshëm që dalin nga kjo marrëveshje, jemi duke i funksionalizuar të gjithë ata mekanizma, jemi duke punuar në qasjen e Kosovës në programet e BE-së, që do t’ua mundëson qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe grupeve të tjera të interesit të kenë qasje në këto programe, jemi duke punuar rreth instrumentit të para-anëtarësimit. Ne kemi pasur një takim dje me drejtoreshën e përgjithshme nga Komisioni Evropian dhe kemi marrë donacionin për këto projekte. Po ashtu, jemi duke punuar rreth Reformës së Agjendës Evropiane, si dhe ajo që është po aq e rëndësishme, është çështja e liberalizimit të vizave, e cila është e rëndësisë së veçantë për qytetarët tanë.


Radio Kosova: Ku jemi te liberalizimi i vizave, është thënë shpesh që jemi në kilometrin e fundit. Në fakt ku jemi, në çfarë kilometri jemi, apo a jemi afër fundit të këtij kilometri të liberalizimit të vizave?

Ahmetaj: Ajo që është shumë e vërtetë është që tani është obligim i yni, një obligim që ne duhet ta përmbushim. Vizita e fundit e përfaqësues së lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, edhe një herë e ka konfirmuar se Kosova në dy kriteret e mbetura, çështja e luftimit të krimit dhe korrupsionit ka shënuar sukses, ka mbetur vetëm çështja e demarkacionit dhe sa më parë që ne e tejkalojmë, apo e votojmë demarkacionin në Kuvend, atëherë ne i afrohemi fundit të këtij procesi.


Radio Kosova: Meqenëse keni qenë edhe ambasadore e Kosovës në Bruksel dhe keni qenë më afër vendimmarrësve evropianë, a mund të thoni, pse në të vërtetë vetëm Kosovës i është vënë demarkacioni si kusht për liberalizimin e vizave?

Ahmetaj: Kosova është pajtuar me këtë udhërrëfyes në vitin 2012 kur ne e kemi marrë. Çdo aprovim rreth udhërrëfyesit nuk mund të rinegociohet dhe si të tillë ne e kemi pranuar. Tani debatet rreth kësaj i kemi apo jo, janë të kota dhe nuk i shërbejnë askujt. Ne duhet si të tillë ta përmbushim.


Radio Kosova: Pra bazuar edhe në deklaratën e Mogherinit, tash ka mbetur vetëm çështja e demarkacionit, jo edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit si kriter?

Ahmetaj: Lufta e krimit dhe korrupsionit është një dukuri të cilën ne në vazhdimësi duhet ta luftojmë dhe kjo është për mirëqenien e shtetit tonë. Por, në këtë stad, është e mjaftueshme, është shënuar progres, prandaj neve na llogaritet si përmbushje e këtij kriteri.


Radio Kosova: Megjithatë, demarkacioni, vështirë e ka të kalojë në Kuvendin e Kosovës, duke i pasur parasysh deklaratat e përditshme të opozitës, por edhe të deputetëve të caktuar nga koalicioni qeverisës. Si e shihni daljen nga kjo situatë ju si ministre, marrë parasysh faktin që përgjegjësia në fund për mos liberalizim po i atribuohet bartësit të kësaj ministrie?

Ahmetaj: Nuk do doja ta prejudikojë situatën. Ajo që ne jemi duke e bërë tani është puna dhe bashkëveprimi i veprimeve tona me deputetët, në mënyrë që këtë momentum ta kalojmë. Është shumë me rëndësi të dihet se në qoftë se Kosova i shtynë këto procese, ata të cilët do t’i vuajnë pasojat janë qytetarët. Ne kemi raste nga shtetet e rajonit që kanë qenë në proceset e integrimit shumë të avancuar dhe vite më pas kanë ngecur në ato procese, derisa shtetet e tjera janë shtete anëtare. Prandaj shembujt e marrë nga rajoni do duhej të ishin shembuj edhe për neve, që sa më shumë që prolongohet ky proces, pasojat do t’i vuajmë të gjithë së bashku.


Radio Kosova: Cilat janë përfitimet e qytetarëve të Kosovës nga liberalizimi i vizave?


Ahmetaj: Bashkimi Evropian është krijuar mbi tri parime: barazia, liria dhe drejtësia. Kur them liria, kjo nënkupton edhe lirinë e shprehjes, të drejtat e njeriut dhe lirinë e lëvizjes. Domethënë e drejta për të lëvizur brenda shteteve të Shëngenit, është e drejtë që do t’u garantohet edhe qytetarëve tanë, çdoherë në harmoni me këtë marrëveshje dhe me rregullat që janë qartë të përcaktuara.


Radio Kosova: Ditë më parë, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në Kuvendin e Kosovës kritikoi ministrinë tuaj, duke thënë se po i keqinformon qytetarët për këtë proces, madje, duke iu referuar një publikimi në ueb-faqen e kësaj ministrie, tha se po u bëhet thirrje qytetarëve që të ikin nga Kosova. Cili është komenti juaj, ngase atë ditë në seancë, nuk është se dhatë ndonjë përgjigje?

Ahmetaj: Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Integrimit, i ka parapri këtij procesi, ende pa e marrë liberalizimin e vizave që ta informojë qytetarin e Kosovës se cilat janë të drejtat dhe cilat janë rregullat e qëndrimit brenda shteteve anëtare të Zonës Shëngen në momentin që Kosovës do t’i jepet liberalizimi i vizave. Për këtë arsye, ne jo vetëm që e kemi sqaruar në detaje në faqen e ministrisë sonë, por po ashtu kemi bërë edhe publikime, fletushka, të cilat u janë ndarë qytetarëve tanë në hyrje-dalje të pikave kufitare të Kosovës, në mënyrë që ata të jenë saktësisht të informuar se cilat janë të drejtat dhe obligimet e tyre gjatë qëndrimit në Zonën Shëngen.


Radio Kosova: Çfarë agjende legjislative ka ministria juaj. A ka ndonjë ligj të veçantë që do ta dërgojë në Kuvend këtë vit?

Ahmetaj: Ne do ta kemi debatin për implementimin e MSA-së. Është programi pesëvjeçar që nënkupton që në këtë periudhë pesëvjeçare do të jenë një sërë masash legjislative dhe administrative që shteti i Kosovës duhet t’i bëjë në drejtim të reformimit dhe avancimit më tutje. Çështja pse është pesëvjeçare ndërlidhet po aq edhe me vetë MSA-në, sepse në periudhën 5-vjeçare do të bëhet edhe rishikimi i MSA-së, ashtu është edhe e paraparë. Prandaj, në këtë periudhë, ne do të obligohemi që t’i bëjmë një sërë reformash, të cilat janë të buxhetuara, po ashtu nga buxheti i Kosovës, në mënyrë që si të tilla të inkorporohen në MSA dhe të vazhdojmë më tutje.


Radio Kosova: Megjithatë, ky program në mbledhjen e javës së kaluar të Qeverisë së Kosovës, nuk kaloi, jo aq për kundërshtim, sa për nevojën e një qartësimi, kishit një debat me ministrin e Punëve të Jashtme…

Ahmetaj: Kjo tregon shkallën e demokracisë si brenda partisë, po ashtu edhe nevojën për t’u sqaruar brenda Qeverisë për secilin hap që po e bëjmë. Unë e thashë, që ministria si e tillë është koordinatore e gjithë procesit, por ministritë e caktuara do t’i bartin reformat të cilat kanë nevojë të bëhen në shtetin tonë. Çdoherë në proces e sipër ne kemi nevojë të koordinohemi, t’i diskutojmë shtruar të gjitha çështjet, sepse ato janë në të mirë të qytetarëve të Kosovës.


Radio Kosova: A e keni koordinuar këtë program për mbledhjen e ardhshme?

Ahmetaj: Në vazhdimësi jemi duke koordinuar, jo vetëm këtë program, por çdo hap që e bëjmë.


Radio Kosova: Ministri Enver Hoxhaj në mbledhjen e fundit iu pyeti nëse parashihet në këtë program edhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE. Kur do të hapen këto negociata?

Ahmetaj: Është ambicie e qytetarëve të Kosovës dhe vullnet i madh që ne sa më parë të jetë e mundur të jemi pjesë e BE-së. Aty ku edhe jemi. Jemi pjesë e Evropës, do të dëshironim që Kosovën ta shohim si shtet anëtar të barabartë me shtetet e tjera të BE-së. Sigurisht që ne do të punojmë në atë drejtim dhe do të bëjmë krejt çka është e mundur që të arrijmë në atë stad. Mirëpo, nuk mund ta bëjmë hapin e dytë pa e bërë të parin. Çdo gjë e ka kohën e vet, se si do të bëhet. Sigurisht së pari duhet të bëhet aplikimi për marrjen e statusit kandidat, pastaj BE-ja në harmoni me institucionet tona do të vendosin se kur do t’i hapen negociatat Kosovës.


Radio Kosova: Cila është qasja e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën, a ka zbutje të qëndrimeve në raport me proceset integruese të Kosovës?

Ahmetaj: Unë kam qenë ambasadore në Bruksel në kohën kur ne e kemi negociuar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim. Pjesën kryesore të kësaj marrëveshje e kemi negociuar gjatë presidencës greke të BE-së dhe e kemi nënshkruar pastaj gjatë presidencës së Luksemburgut, ndërsa këshilli i parë i MSA-së është mbajtur gjatë presidencës së Sllovakisë. Në këtë proces, këto tri momente të rëndësishme i përmenda me qëllim për ta sjellë si informatë se dy shtete nga këto pesë shtete, kanë qenë në momentet më të rëndësishme që Kosova ka kaluar në agjendën e vet Evropiane. Dhe jo vetëm këto, por të gjitha këto pesë shtetet kanë qenë përkrahëse në këtë proces. Përndryshe, votimi për MSA-në, është votim që është marrë me një konsensus dhe po të kishte qenë një nga këto shtete kundër, Kosova sot nuk do ta kishte MSA-në. Dhe si të tilla, janë po ashtu përkrahëse edhe për liberalizimin e vizave.


Radio Kosova: Po kthehem për fund edhe një herë te liberalizimi i vizave. Shpeshherë paraardhësit tuaj në këtë ministri, por edhe udhëheqësit e tjerë kanë dhënë afate për liberalizimin e vizave. Ju si ministre e Integrimit Evropian, a mund të jepni ndonjë afat se kur do të ndodhë liberalizimi?

Ahmetaj: Në momentin që ne i kryejmë obligimet tona, pastaj do të drejtohemi kah Bashkimi Evropian, që ata të jenë garantë të premtimeve të tyre. Edhe një herë po e them, përfaqësuesja e lartë, Mogherini, e përmendi që në momentin që Kosova e miraton demarkacionin në Kuvend, ata do të jenë shtytës në këtë proces.


Radio Kosova: A keni ndonjë mesazh për deputetët që po e kundërshtojnë demarkacionin dhe që, sipas Qeverisë, në këtë rast sipas jush, po e pengojnë liberalizimin e vizave?

Ahmetaj: Unë shumë besoj dhe shpresoj që deputetët do ta kenë arsyen e madhe që ta votojnë demarkacionin dhe ta shtyjnë këtë proces më tutje, sepse ne, në këtë stad, jemi në pozicionin zero. Çdo vonesë do të na kthente pas.

#Linku

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO