Ahmetaj: Agjenda evropiane, prioritet i Qeverisë së re

Prishtinë, 30, Korrik 2017 - Ministrja në detyrë e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka shprehur optimizëm se brenda këtij viti Republika e Kosovës do t’i përmbushë të gjitha kushtet që ndërlidhen me procesin e liberalizmit të vizave.


Ajo ka thënë se Qeveria e re duhet ta ketë prioritet këtë çështje, meqenëse kjo është një temë jetike për qytetarët e Kosovës.


Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ajo ka thënë se shteti i Kosovës duhet ta kryejë çdo obligim ndërkombëtar që ka marrë. “Jam optimiste dhe besoj se obligimet e marra edhe mund t’i përmbushim”, ka thënë Ahmetaj. Ajo i ka përmendur edhe prioritet e tjera që duhet t’i kenë parasysh institucionet e reja, e të cilat ndërlidhem me agjendën evropiane. “Prioritetet kryesore të Qeverisë do të jenë liberalizimi i vizave, implementimi i MSA-së, aprovimi i Kuvendit për Fondin IPA 2016, qasja e Kosovës në Programet e BE- së, Reformën për Agjendën Evropiane (ERA) dhe vazhdimi i reformave që ndërlidhen me këto procese”, ka thënë Ahmetaj.


Ministrja e Integrimit Evropian ka vlerësuar se konsensusi nacional për agjendën evropiane duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Sipas saj, në Kosovë çdoherë ka pasur konsensus nacional sa i përket procesit të integrimit evropian. “Në Kosovë në vazhdimësi procesi i integrimit evropian përkrahet nga të gjitha partitë dhe është prioritet nacional. Këtë e kemi parë me ratifikimin e MSA-së, ERA-s si dhe programet e BE-së”, është Ahmetaj.


Sa i përket zbatimit të MSA-së, ajo ka treguar se deri në periudhën e tanishme ky proces është duke shkuar ashtu siç është planifikuar. Ahmetaj ka shprehur dëshirën që në rast se Qeverinë e re e formon koalicioni PAN, ta drejtojë këtë ministri edhe më tutje. “Asnjëherë nuk i shmangem përgjegjësisë. Me kënaqësi do të vazhdoja ta ushtroja funksionin e njëjtë”, është shprehur ministrja Ahmetaj.

 
“Epoka e re”: Znj. Ahmetaj, si është duke shkuar implementimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asoccim në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE)?
Ahmetaj: Deri në periudhën e tanishme implementimi është duke shkuar ashtu siç e kemi planifikuar duke u bazuar në Programin e Implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) për këtë vit.

 
“Epoka e re”: Çfarë ndikimi është duke pasur në agjendën evropiane të Kosovës mosformimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit?
Ahmetaj: Agjenda e integrimit evropian nënkupton edhe një mori masash të cilat e kërkojnë aprovimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Sa më parë që është funksional Kuvendi, ne do të jemi në gjendje ta vazhdojmë implementimin e kësaj agjende.

 
“Epoka e re”: Znj. Ahmetaj, cilat duhet të jenë prioritetet kryesore të Qeverisë së re në raport me agjendën evropiane?

Ahmetaj: Prioritete kryesore të Qeverisë do të jenë liberalizimi i vizave, implementimi i MSA-së, aprovimi i Kuvendit për Fondin IPA 2016, qasja e Kosovës në programet e BE-së, Reformën për Agjendën Evropiane (ERA) dhe vazhdimi i reformave që ndërlidhen me këto procese.

 
“Epoka e re”: Jeni optimiste se brenda këtij viti Kosova do t’i kryejë detyrat e shtëpisë sa i përket liberalizimit të vizave?
Ahmetaj: Jam optimiste dhe besoj se obligimet e marra edhe mund t’i përmbushim.

 
“Epoka e re”: A është i mjaftueshëm vetëm konsensusi deklarativ sa i përket agjendës evropiane të Kosovës?
Ahmetaj: Nuk pajtohem kur thoni se është vetëm “konsensus deklarativ” sa i përket agjendës evropiane. Në Kosovë në vazhdimësi procesi i integrimit evropian përkrahet nga të gjitha partitë dhe është prioritet nacional. Këtë e kemi parë me ratifikimin e MSA-së, të ERA-s si dhe me programet e BE-së.

 
“Epoka e re”: Keni deklaruar se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme që t’i absorbojë të gjitha fondet e BE-së. Pse?
Ahmetaj: Nuk kam deklaruar se Kosova nuk ka kapacitete për t’i absorbuar fondet e BE-së, por kam thënë se, pas miratimit nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian për qasjen e Kosovës në Programet e BE-së, nga gjithsejtë 17, Kosova në këtë stad fillestar ka vendosur të aplikojë në katër programe (Erasmus Plus, Cosme, Europe for Citizens dhe Creative Europe), për të cilat ne duhet të fillojmë t’i ngrehim kapacitetet institucionale që do të mund të përfitojnë nga këto programe, duke e marrë parasysh se qytetarët tanë do t’i nënshtrohen një konkurrence të barabartë me të gjithë qytetarët e Evropës dhe këto programe për neve janë diçka e re që më parë nuk kemi pasur qasje dhe nga të cilat do të përfitojnë shumë qytetarë të vendit.

 
“Epoka e re”: Jeni e gatshme ta drejtoni Ministrinë e Integrimit Evropian nëse institucionet formohen nga koalicioni PDK-AAK-Nisma?
Ahmetaj: Asnjëherë nuk i shmangem përgjegjësisë. Me kënaqësi do të vazhdoja ta ushtroja funksionin e njëjtë.

 

#Linku

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO