“Mbështetje Procesit të Integrimit Evropian në Kosovë – faza III (2017-2020)”

Shkëlqesia juaj, Z.Voss,
Të nderuar Z.Macbeth, Znj. Meyn,
Të nderuar kolegë dhe mysafirë prezent,
Është kënaqësi të jem këtu në ditët e mia të para si Ministre e Integrimeve Evropiane.

Më lejoni që, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të shpreh mirënjohjen tonë për gjithë mbështetjen që Republika Federale e Gjermanisë ka ofruar në rrugëtimin tonë të integrimit evropian. Gjermania qysh nga fillimi ka qenë mbështetëse e Kosovës, jo vetëm përmes ekspertizës së pasur të ndërtimit të institucioneve, gjithashtu edhe me burime financiare, por çka është më e rëndësishme, edhe përmes përkrahjes politike.

Kosova, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dëshiron të vazhdojë të mbështetet në përkrahjen e Gjermanisë, veçanërisht tani që, nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, perspektiva jonë evropiane ka përparuar politikisht deri në fazën e marrëdhënieve kontraktuale. Në këtë kontekst, deri në pranimin aktual, ne shohim partneritetin gjithnjë e më të ngushtë me Gjermaninë si kritik në fazat e mëtejshme të këtij procesi. Kjo është vendimtare jo vetëm për këtë, por edhe për proceset e përgjithshme që shoqëria jonë do t'i nënshtrohet në dekadat e ardhshme, proceset e zhvillimit tonë socio-ekonomik, reformat politike dhe stabilitetin, si dhe reformat ligjore dhe institucionale të kërkuara nga MSA-ja.

Për këtë qëllim, projekti,Përkrahja për Procesin e Integrimit Evropian në Kosovë, zbatuar nga GIZ Kosova, gjatë pesë viteve të fundit ka ofruar ekspertizë dhe mbështetje të çmueshme për zbatimin e shumë reformave të integrimit evropian.

Projekti u lancua në vitin 2012, vit ky kritik për këtë proces, kur të gjitha institucionet e Kosovës po angazhoheshin në punë intensive që çuan në negociatat e MSA-së, por gjithashtu në përmbushjen e kritereve të liberalizimit të vizave.

Projekti ofroi mbështetje dhe ekspertizë shumë të rëndësishme për kontributin tonë të suksesshëm si institucione të Kosovës në Studimin e Fizibilitetit për MSA-në, i cili përfundimisht arriti në përfundimin se Kosova ishte e gatshme të hyjë në negociata për këtë marrëveshje, e cila përfundimisht e solli vendin këtu ku jemi sot.
Bashkëpunimi ynë në kuadër të projektit ishte veçanërisht i rëndësishëm në fillim me formësimin e konsensusit tonë si shoqëri në rrugën e integrimit evropian. Kjo është bërë përmes procesit gjithëpërfshirës të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Integrimin Evropian, nën kujdesin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, të udhëhequr nga Presidenti i Republikës. Ky proces i ndërtimit të konsensusit dhe Këshilli Kombëtar shërbyen si dy mekanizma shumë të rëndësishëm që bashkojnë të gjitha palët e interesit nga të gjitha sferat e jetës publike (institucionet publike, shoqëria civile dhe media, komuniteti i biznesit, akademia dhe të tjerët).


Projekti gjithashtu ka ofruar mbështetje të rëndësishme për të gjitha institucionet tona, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, në ngritjen e kapaciteteve për përafrimin ligjor, planifikimin dhe monitorimin e dokumenteve të politikave të integrimit në BE, si dhe në komunikimin publik, transparencën dhe përfshirjen e palëve të interesuara. Një pjesë po aq e rëndësishme e projektit është ngritja e kapaciteteve që projekti i ka ofruar Kuvendit, duke u përqendruar në përafrimin ligjor dhe monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të politikave kombëtare të integrimit evropian që kontribuojnë drejtpërsëdrejti në përmbushjen e detyrimeve të MSA-së.

Në vazhdën e kësaj, më lejoni të falënderoj edhe njëherë dhe të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për gatishmërinë në vazhdimin e mbështetjes së Ministrisë tonë dhe akterëve tjerë të angazhuar në integrimin evropian. Ne si Qeveri e mirëpresim këtë iniciativë. Më lejoni të përsëris se mbështetja nga Gjermania është kritike në këtë fazë të zbatimit të MSA-së, dhe partneriteti mes dy vendeve tona do të bëhet edhe më kritik si forcë kyçe shtytëse drejt zbatimit të reformave shumëdimensionale dhe afatgjata që Kosova do të ndërmarrë.

Për fund, dëshiroj të shpreh gatishmërinë e Ministrisë sonë për një bashkëpunim të plotë me projektin që bashkërisht të prodhojmë rezultatet më të mira që mundemi dhe të shfrytëzojmë sa më mirë burimet dhe ekspertizën. Në këtë drejtim, më lejoni të theksoj nevojën për shfrytëzimin e burimeve në dispozicion për të përfituar edhe nga përvoja dhe praktikat e mira të vendeve të tjera që kanë aderuar në BE para nesh, sidomos pikëpamjet më të freskëta të vendeve që janë anëtarësuar tash së voni.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO