Hoxha: Dinamika e procesit integrues duhet të përshpejtohet

Hoxha: Dinamika e procesit integrues duhet të përshpejtohet
E nderuara Znj. Apostolova,
I nderuar zv. Ambasador,
Të nderuar Deputet,
Zonja dhe Zotërinj,

Fillimisht, më lejoni të shpreh kënaqësinë që ju drejtohem në këtë tryezë në cilësinë e Ministres së Integrimit Evropian dhe poashtu të falenderoj Grupin për Studime Juridike dhe Politike për iniciativën që të diskutojmë për MSA-në dhe reformat që duhet ndërmarrë. Poashtu më lejoni të shpreh përkushtimin tim për të cuar përpara procesin e integrimit evropian, dinamika e të cilit konsideroj se duhet përshpejtuar.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit përmes së cilës Kosova për herë të parë hyri në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian përvec që është sukses duhet të jetë edhe shtytje që e njëjta të implementohet suksesshëm në mënyrë që të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian. Në këtë proces qenësor për Republikën e Kosovës, zbatimi i MSA-së është prioriteti ynë më i rëndësishëm. Zbatimi i MSA-së tani kërkon përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe zbatimin e plotë të legjislacionit në praktikë. Kjo do të kërkojë vullent politik, kapacitete burokratike dhe financim të qëndrueshëm.

Ministria e Integrimit Evropian ka filluar rishikimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i cili është proces i rregullt vjetor i planifikimit të politikave për zbatimin e MSA-së. Qëllimi i rishikimit është përditësimi i këtij programi dhe hartimi i masave afatshkurtra që do të zbatohen gjatë vitit 2018. Me qëllim të monitorimit të zbatimit të MSA-së, në muajin tetor do të mbahet takimi i parë i Komitetit në Bruksel, ndërsa në nëntor do të mbahet takimi i dytë i Këshillit.

Me qëllim të prioritizimit të reformave para nesh, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë lansuar Agjendën Evropiane të Reformave apo shkurt ERA. ERA parasheh zbatimin e 22 prioriteteve konkrete nga një varg institucionesh. Unë do të ndërmarr të gjitha masat për të siguruar se të gjitha institucionet janë të vetëdijshme për prioritetet e tyre si dhe për të ofruar përkrahjen e MIE-së në kuadër të këtij procesi.

MSA është një kontratë të cilën ne kemi lidhur me Bashkimin Evropian, dhe në momentin e hyrjes në këtë marrëdhënie kontraktuale ne jemi zotuar se do të përmbushim kriteret e kërkuara dhe do të implementojmë këtë marrëveshje. Të 35 kapitujt e MSA-së janë të qartë sa i përket kritereve që duhet plotësuar.

Reformat në cdo fushë, në cdo sektor duhet të jenë në funksion të zbatimit të MSA-së si dokumenti i vetëm i cili duhet të jetë baza e reformave. Të gjithë kapitujt e MSA-së mund të implementohen duke ndërmarrë reforma të thella në sektorët përkatës. Pavarësisht se gjithë kapitujt e MSA-së janë të rëndësishëm konsideroj se prioritet duhet dhënë reformave në fushën e sundimit të ligjit, perafrimit të legjislacionit te Kosovës me atë të BE-së, zbatimit te legjislacionit, klimës së të bërit biznes, mbrojtjes së konkurrencës, avancimit të politikave të arsimit dhe punësimit si dhe bashkëpunimit rajonal.

Ne duhet të tregojmë përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e MSA-së sepse nga ky zbatim do të varet rruga dhe e ardhmja jonë drejt BE-së. Besoj fuqishëm se nuk mund të flasim për një proces të suksesshëm të implementimit të MSA-së pa përfshirjen e shoqërisë civile. MIE është duke punuar aktualisht në krijimin e një modaliteti për përfshierjen sa më aktive të shoqërisë civile në punën tonë drejt përmbushjes së obligimeve tona që dalin nga MSA dhe mirëpres cdo iniciativë apo ndihmë që mund të marrim nga shoqëria civile.

Për fund më lejoni të ritheksoj gatishmërinë e MIE dhe përkushtimin tim për të punuar me të gjitha institucionet vendore dhe të BE-së, me përfshirjen aktive të qytetarëve dhe shoqërisë civile në implementimin e MSA-së duke i shtyrë të gjitha institucionet që të ndërmarrin reformat e nevojshme që kërkohen për të përmbushur sa më shumë kritere që dalin nga MSA.

Ju faleminderit për vëmendje!

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO