Fjalimi i Ministres Hoxha për takimin me Kryeministrin dhe HOMS

I nderuari Kryeministër Haradinaj,
Të nderuar Ministra,
E nderuara Znj.Apostolova,
Të nderuar Ambasadorë,
Zonja dhe Zotërinj,

Fillimisht, më lejoni të shpreh kënaqësinë që ju drejtohem në këtë takim në cilësinë e Ministres së Integrimit Evropian. Poashtu më lejoni të shpreh përkushtimin tim për të cuar përpara procesin e integrimit evropian, dinamika e të cilit konsideroj se duhet përshpejtuar. Për Kosovën, procesi i integrimit evropian nuk është alternativë por është rrugë të cilën e kemi zgjedhur dhe ne duhet ti kryejmë detyrat tona në mënyrë që të shënojmë progres.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit përmes së cilës Kosova për herë të parë hyri në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian përvec që është sukses duhet të jetë edhe shtytje që e njëjta të implementohet suksesshëm në mënyrë që të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian. Përvec MSA, më lejoni të përmend edhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes Kornizë për Qasje në Programet e BE-së e cila poashtu hap dyert e bashkëpunimit të mëtejmë dhe rikonfirmon Bashkimin Evropian si partnerin më të madh zhvillimor për Kosovën.

Megjithatë, para nesh janë shumë sfida. Ndër to, fillimisht do të përmendja faktin se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian, duke qenë kështu qytetarë të izoluar të kësaj pjese të Evropës. Kushtet që duhet të plotësojë Kosova për liberalizimin e vizave janë të qarta. Në cilësinë e Ministres së Integrimit Evropian shpreh përkushtimin e parezervë që të punojmë së bashku me të gjitha institutcionet dhe të plotësojmë këto kushte për tu mundësuar qytetarëve tanë lëvizjen e lirë. Lëvizja e lirë e qytetarëve varet nga puna dhe angazhimi i gjithë institucioneve të Republikës së Kosovës për plotësimin e kushteve të caktuara.

Në këtë proces qenësor për Republikën e Kosovës, zbatimi i MSA-së është prioriteti ynë më i rëndësishëm. Zbatimi i MSA-së tani kërkon përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe zbatimin e plotë të legjislacionit në praktikë. Kjo do të kërkojë vullent politik, kapacitete burokratike dhe financim të qëndrueshëm.

Ministria e Integrimit Evropian ka filluar rishikimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i cili është proces i rregullt vjetor i planifikimit të politikave për zbatimin e MSA-së. Qëllimi i rishikimit është përditësimi i këtij programi dhe hartimi i masave afatshkurtra që do të zbatohen gjatë vitit 2018. Me qëllim të monitorimit të zbatimit të MSA-së, në muajin tetor do të mbahet takimi i parë i Komitetit në Bruksel, ndërsa në nëntor do të mbahet takimi i dytë i Këshillit.
.
Me qëllim të prioritizimit të reformave para nesh, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë lansuar Agjendën Evropiane të Reformave apo shkurt ERA. ERA parasheh zbatimin e 22 prioriteteve konkrete nga një varg institucionesh. Unë si Ministre do të ndërmarr të gjitha masat për të siguruar se të gjitha institucionet janë të vetëdijshme për prioritetet e tyre si dhe për të ofruar përkrahjen e MIE-së në kuadër të këtij procesi.

Ne duhet të tregojmë përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e prioriteteve, konkretisht duke promovuar qeverisjen e mirë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, duke mbrojtur konkurrueshmërinë dhe përmirësuar klimën e investimeve si dhe duke avancuar politikat e punësimit dhe arsimit të lartë. Ministria e Integrimit Evropian do të ofrojë asistencë në këtë drejtim dhe do të punojë ngusht me të gjitha institucionet për të zbatuar këto prioritete.

Sa i përket Programeve të BE-së, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Kornizë, institucionet e Kosovës kanë marr vendim që të fillojm aplikimin për anëtarësim në 4 programe. Si Ministre e Integrimit do të sigurohem se janë ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në ERASMUS, COSME, Evropa për Qytetarët dhe Evropa Kreative. Pjesëmarrja në këto programe do të ofroj studentët, akademinë, bizneset, shoqërinë civile dhe komunitetin artistik dhe krijues edhe më afër Bashkimit Evropian.

Sa i përket asistencës së BE-së apo IPA-s, institucionet e Kosovës në bashkëpunim me Komisionin Evropian janë duke siguruar që asistenca e BE-së prej për rreth 80 milion EURO në vit të mbështes reformat kyçe të parapara në kuadër të MSA-së. Në këtë drejtim, kemi finalizuar negocimin e IPA 2016 në vlerë prej 70.5 milion EURO, ku 45.5 milion EURO do të mbështesin reformat në rritjen e konkurrueshmerisë dhe përkrahja për bizneset, arsimi dhe punësimi, si dhe të drejtat e njeriut. Aktualisht jemi ende në negociata për përkrahjen e drejtpërdrejt buxehtore në vlerë prej 25 milion EURO për reformën e administratës publike. Në këtë drejtim, tashmë është proceduar në Qeveri Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare IPA 2016.

Për fund më lejoni të ritheksoj gatishmërinë e MIE dhe përkushtimin tim për të punuar me të gjitha institucionet në përmbushjen e të gjitha kritereve që kërkohen për procesin e liberalizimit të vizave, zbatimin e prioriteteve të ERA si dhe implementimin e MSA-së në tërësi.

Ju faleminderit për vëmendje!

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO