Fjalimi i Ministres Hoxha në hapjen e Komitetit Stabilizim Asociimi

E nderuara Veva,
Të nderuar kolegë të Njësitit për Kosovën,
Të nderuar Sekretarë,
Më lejoni fillimisht të falenderoj kolegët nga Komisioni Evropian për pritjen e sotme këtu në Bruksel, si dhe për angazhimin tuaj në kuadër të përgaditjes së takimit të sotëm.


Ky është takimi i parë i Komitetit Stabilizim Asociimi, të cilin e mbajm sot pas përfundimit të të gjitha takimeve të nënkomiteteve të Stabilizim Asociimit, si dhe në prag të mbajtjes së Këshillit në muajin nëntor.

Procesi i integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Qëllimi i shoqërisë sonë, dhe rrjedhimisht detyra jonë si përfaqësues politik mbetet vazhdimi i konsolidimit demokratik, ngritja e nivelit të sundimit të ligjit dhe e respektimin e të drejtave si dhe ndërtimi i një ekonomie të tregut funksionale. Respektivisht adresimi i kritereve bazë të anëtarësimit në BE. Ne i konsiderojmë vlerat evropiane si tona, dhe rrugëtimi jonë nuk është i plotë pa u bashkuar në familjen evropiane

Besoj që ju në institucionet e BE-së, përkundër presioneve të ndryshme me të cilat përballet BE sot, do të vazhdoni që të bëni gjithçka që është e mundur që ta mbani perspektivën evropiane të vendit tonë, si për të gjithë rajonin, dinamike, konkrete, dhe të arritshme. Procesi reformues është i varur drejtpërdrejt nga kredibiliteti i perspektivës evropiane.

Duke qenë se jemi në fillim të një mandati të ri qeverisës, më lejoni që të theksoj përkushtimin tonë për të gjitha proceset e ndërlidhura me agjendën evropiane, duke përfshirë këtu dinamizmit të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe mundësimin e udhëtimit të lirë për qytetarët e Kosovës në Bashkim Evropian.

Sot jemi këtu për të diskutuar zbatimin e deritanishëm të MSA, dhe rrugën përpara. Unë sot do të përmendi vetëm pikat kryesore të reformave prioritetve për të cilat jemi pajtuar përmes procesit të Agjendës së Reformave Evropiane.

Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, Kosova dhe BE-ja kanë lansuar një agjendë prioritare të 22 reformave konkrete në 3 shtylla kryesore, zbatimi i të cilave do të kontribuon në zbatimin efektiv të MSA-së. Këtë agjendë sot e njohim si Agjenda Evropiane e Reformave apo ERA. Qeveria e Republikes së Kosovës në kuadër të Programit të saj njeh rëndësinë e zbatimit të ERA-s si një nga prioritetet kyçe të Qeverisë.Prandaj më lejoni më pak fjalë të ju njoftoj se çfare kemi arritur deri më sot dhe cilat janë planet tona për adresimin e plotë të prioriteteve të ERA-s. Për shkak limitit të kohës, do të foksuohem të shtylla e parë dhe prioritetet kyçe në kuadër të ERA-s për këtë shtyllë.

Në kuadër të shtyllës së parë, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, kemi finalizuar analizën e rishikimit të institucioneve dhe bordeve të pavarura. Tani, qeveria dhe kuvendi janë në proces të hartimit të një plani veprimi që do mundësoj racionalizimin e institucioneve dhe bordeve të pavarura. Janë finalizuar kooncept dokumentet për Ligjin për Administratë Shtetërore si dhe Ligjin për Shërbyesit Civil, ndërsa së shpejti do të fillon hartimi i koncept dokumentit për Ligjin për Paga.

Me 29 shtator Qeveria, duke marr për bazë opinionin e AKK-së, ka shkarkuar 10 drejtoret e Ndermarrjeve Publike që kanë qenë në shkelje të Ligjit për Ndërmarje Publike.

Në kuadër të sistemit të drejtësisë është hartuar koncept dokumenti mbi ndryshimin e legjislacionit në fuqi për të siguruar pezullimin dhe/ose largimin e detyrueshëm të zyrtarëve publikë të akuzuar dhe dënuar për korrupsion. Koncepti është në fazën e diskutimeve me akterët kyc, dhe pritet që shumë shpejt të miratohet nga Qeveria. Njëkohësisht, Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit është miratuar këtë javë në Qeveri. Ligji është në përputhje më rekomandimet e pranuara nga Komisioni Evropian dhe akterët tjerë të përfshire në procesin e hartimit të tij.

Është bërë përzgjedhja e kompanisë për auditimin e financave të partive politike. Së shpejti Komisioni i Kuvendit për Financa Publike të zhvilloj procedurën e shortimit për alokimin e auditorëve për auditimin e subjekteve përkatëse.

Po ashtu, ka filluar procedura për hartimin e koncept dokumentit për legjislacionin që do të rregulloj financimin e partive politike. Presim që koncept dokumenti të miratohet në Qeveri deri në fund të këtij viti, duke përfshirë edhe rekomandimet e misionit të fundit të Misionit Vezhgimit të BE-së.

Është finalziuar plotësim ndryshimi i Ligjit për Prokurorine e Shtetit dhe presim që së shpejti të miratohet në Qeveri. Përmes këtij ligji ndër tjerash është adresuar çështja e uljës së kritereve për rekurtimin e prokurorëve për Prokurorinë Speciale në përputhje me kërkesat e pranuara nga Këshilli Prokurorial dhe kësisoji praktikisht është adresuar ligjerisht mundësia e rritjës së numrit të prokurorëve.

Në fushën e migrimit, Kosova vazhdon të mos përballet me azil kërkues të huaj përkundër faktit që ofron të gjitha kushtet për mbrojtjen dhe strehimin e tyre. Në anën tjetër, numri i azil-kërkuesve Kosovar në BE mbetet i ulët krahasuar me vitet paraprake dhe institucionet kanë ndërmarr një sërë masash për tu siguruar që ky numër mos të rritet, përfshirë: përpilimin e planeve operative për të parandaluar migrimit e parregullt, kontrolli i plotë në pikë kalimet kufitare, analizimin e listave të udhëtarëve për të përcjellë ndryshimet të mundshme drastike të numrit të Kosovarëve që udhëtojnë për në Serbi, e që do të mund të ishte indikatorë për rritje të numrit të azil kërkuesve Kosovar në BE.

Sa i përket reformës së prokurimit elektronik, Vendimi i Qeverisë për prokurimin elektronik është duke u zbatuar plotësisht. Është përfunduar platforma elektronike dhe të gjitha autoritetet kontraktuese e kanë të obligueshme t’i vendosin aktivitetet e prokurimit në platformën elektronike.

Sa i përket shtyllës së dytë për konkurrueshmëri dhe klimë të investimeve dhe shtyllës së tretë për arsim dhe punësim, poashtu kemi shënuar progres për të cilat do të njoftoheni gjatë këtij takimi.

Të nderuar,
Jemi plotësisht të vetëdijshëm që zhvillimet politike gjatë vitit 2017 nuk kanë lejuar vëmendjen e nevojshme politike në zbatimin e prioriteteve kyçe në kuadër të procesit të integrimit Evropian. Qëllimi i fjalimit tim sot ishte që të bëjë të qartë që Qeveria me fillimin e mandatit të saj ka arritur të përmbush disa nga prioritetet e ERA-s në javët e para të saja. Kjo dinamikë e punës do të vazhdoj edhe gjatë vitit 2018. Kemi humbur mjaft kohë, dhe mendoj se kjo është një kohë e mirë të reflektojmë mbi të arrituar, por edhe për të rifokusuar agjendën për vitin e ardhshëm.

Tani në kuadër të shfrytëzimit sa më efikas të kohës së takimit të sotëm, dëshiroj t’ju falenderoj për vëmendjen tuaj dhe tju dëshiroj një takim sa më të suksesshëm.

Faleminderit.

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO