60 vjetori i Traktatit të Romës

I nderuar, Xhavit Haliti, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës
I  nderuar, Ramiz Kelmendi, ZëvendësKryeministër i Kosovës
E nderuar, Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e Bashkimit Evropian,
I nderuar, Piero Sardi, Ambasador i Republikës Italiane në Kosovë


Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe Zotërinjë;                              

                 
Projekti i Bashkimit Evropian që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore është projekti më i avancuar i paqes që njerëzimi e ka pas ndonjëherë, duke i dhënë evropianëve një mundësi unike që të jetojnë një jetë më me perspektivë, më të pasur, në paqe dhe sipas vlerave demokratike. Kjo e ka bërë kontinentin e vjetër një fuqi të rëndësishme globale ekonomike dhe politike dhe një model që shumë shtete të tjera e aspirojnë, përfshirë këtu edhe Kosovën.


Shumë shtete nga Evropa Lindore, që më parë ishin nën regjimin komunist, zgjodhën rrugën e vështirë të anëtarësimit në BE që nga viti 2004 në vitin 2007. Ëndrra e tyre për jetë më të mirë dhe Evropë më të fuqishme u bë realitet.


Në 60 vjetorin e Traktatit të Romës, edhe Kosova e ka këtë ambicie anëtarësimin në mesin e të barabartëve. Ne e dimë që nuk do të jetë një rrugë e lehtë, kërkon shumë energji, angazhim dhe konsistencë nga të gjithë ne, por çmimi për të qenë pjesë e BE-se ia vlen, siç ka thënë dikur ish Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Westerwelle.


Evropa është duke u ballafaquar me disa sfida, të cilat do të tregojnë se sa i fuqishëm është Bashkimi Evropian. Zgjedhjet e ardhshme në Francë dhe Gjermani janë një referendum për të ardhmen e BE-së, e në këtë mënyrë edhe për aspiratën tone për anëtarësim.


Nuk ju them asgjë të re nëse e përmendi se edhe vendet e Ballkanit po përballen po ashtu me sfida siç janë marrëdhëniet e renduara politike ndërmjet shteteve të rajonit. Akterët e tretë po përpiqen të përfshihen më shumë në rajon duke shfrytëzuar lodhjen nga zgjerimi që BE-ja e ka shfaqur viteve të fundit. Ne mirëpresim mesazhet që udhëheqësit e BE-së i dërguan nga Roma se BE-ja mbetet e hapur për zgjerim, në të ardhmen por në këtë kohë kemi nevojë për më shumë vepra se fjalë.


Vitin e ardhshëm Bullgaria dhe Austria do ta kenë Presidencën e BE-së. Si vende të afërta me rajonin, shpresojmë që do të angazhohen për një ri-zotim ndaj Deklaratës së Selanikut, duke hapur kështu negociatat me të gjitha vendet e rajonit. Është shumë më e lehtë për BE-në që të ndikojë në reformat në rajon nëpërmjet negociatave kapitull pas kapitulli në vend të procesit aktual të reformave që ka dëshmuar të jetë i ngadalshëm apo të ketë edhe hapa mbrapa.


Pas Brexit, krizës së refugjatëve, kërcënimeve terroriste dhe sfidave tjera me të cilat po përballet BE-ja, zgjerimi dhe jo vetëm thellimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, duhet të jetë zgjidhja kryesore në situatën në të cilën po jetojmë. Është një moment që duhet ta shfrytëzojmë tani apo ta humbasim përgjithmonë.


Përkundër diskutimeve për të ardhmen e BE-së në një Evropë me një, dy apo shumë shpejtësi, ne kemi nevojë për një BE si një union i vetëm politik dhe ekonomik. Ajo duhet të përshpejtojë përpjekjet për sjelljen e Kosovës më afër BE-së dhe duhet të jetë më aktive duke penguar akterët e tretë që të pozicionohen në rajon. Është fatkeqësi që Bashkimi Evropian nuk i ka kushtuar vëmendje zgjerimit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në letrën e saj të bardhë (white paper) në lidhje me të ardhmen e BE-së. BE-ja pa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të ketë sukses.


Në këtë përvjetor, vërtetë dëshirojë që populli im së shpejti të jetë në gjendje të udhëtojë lirshëm nëpër Evropë dhe të mos jetë më i izoluar, sepse izolimi dhe muret nuk janë përgjigje ndaj kërcënimeve me të cilat po përballet civilizimi.


Koha është tani ose kurrë…BE-ja ka nevojë për Kosovën dhe Ballkanin sikurse Ballkani që ka nevojë për BE-në, për stabilitet më të mirë politik, prosperitet ekonomik dhe më shumë siguri për rajonin dhe tërë botën. Shprehja e shqetësimit nuk është mesazhi qe ne e kërkojmë nga Brukseli; ne kemi nevojë për veprime dhe masa reale në mënyrë që Ballkani që po lëkundet, të ankorohet në BE.


Nuk duhet të kthehemi prapa në shekullin XIX, por duhet të jetojmë në Evropën e shekullit XXI. Për të shmangur përsëritjen e historisë, nevojitet një Evropë më aktive në Kosovë dhe rajon. Është jetike për neve që të jemi një rajon i bashkëpunimit e jo i konflikteve, gjë për të cilën Kosova është e dedikuar.


Siç ka thënë Presidenti Juncker: “Nuk jemi shumë krenar me atë që e kemi arritur në Evropë për gjatë gjithë këtyre viteve.” Prandaj, një BE pa vendet e Ballkanit Perëndimor është një punë e papërfunduar.


Të shpresojmë që Evropa do të gjejë kurajon të tejkaloj sfidat aktuale këtë vit dhe të hap rrugën për prurje të reja ne kuadër te procesit te zgjerimit duke pasur si qëllim të qartë afrimin e vendeve të rajonit më afër BE-së. Në këtë kohë kemi nevojë për veprime konkrete dhe jo për fjalë boshe.
 

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO