Ministrja Ahmetaj: Obligimet ndërkombëtare që Kosova i merre duhet t’u qëndroj prapa

Ahmetaj, në një intervistë dhënë FerizajPressit ka thënë se obligimet ndërkombëtare që Kosova i merr duhet t’u qëndroj prapa dhe në momentin kur dakordohemi me BE për një proces apo dokument, të tillat nuk mund të rinegociohen edhe një herë.

 

Zonja Ahmetaj, ku ka mbetur procesi integrimit evropian si dhe liberalizimi vizave, mbas votimit të mosbesimit të qeverisë?

 

Ahmetaj: Kosova e ka filluar procesin e integrimit evropian nga dita kur e ka nënshkruar MSA dhe ne tani jemi në proces e sipër të implementimit të kësaj marrëveshje si dhe krijimit të të gjithë mekanizmave institucional obligativ që dalin nga kjo marrëveshje. Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave mbetet obligim i legjislaturës së ardhshme që ta ratifikoj marrëveshjen e demarkacionit në mënyrë që të procedohet më tutje.

 

Si Ministre e Integrimeve, po ashtu edhe si ish Ambasadore e Republikës së Kosovës në Bruksel, pra konsideroheni një aktere kryesore e procesit të integrimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, realisht a prisni që duke marrë parasysh polarizimet e mëdha në skenën politike për çështjen e demarkacionit, liberalizimi të ndodhë në një periudhe të afërt, mbas krijimit të qeverisë së re?

 

Ahmetaj: Periudha e kaluar ka qenë kohë e mjaftueshme që të diskutohet për argumentet “pro” dhe “kundër” demarkacionit dhe po ashtu për ta kuptuar që obligimet ndërkombëtare që Kosova i merre duhet t’u qëndroj prapa. Çështja demarkacionit do të jetë ndër çështjet që menjëherë do të vije në diskutim pas formimit të qeverisë së re dhe poashtu jam shumë e sigurt që PDK do ta përkrahë votimin e kësaj marrëveshje që t’ju hap mundësi qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm.

 

Keni qenë në Bruksel për një kohë dhe keni parë se si kanë funksionuar diskutimet me shtetet e rajonin për liberalizimin e vizave. A konsideroni se është bërë padrejtësi me Kosovën sa i përket kushtit për miratimin e demarkacionit, pasi që është i vetmi vend që i është kërkuar ta bëjë një vend të tillë?

 

Ahmetaj: E thashë edhe më sipër që në momentin kur dakordohemi me BE për një proces apo dokument, të tillat nuk mund të rinegociohen edhe një herë, edhe sa i përket udhërrëfyesit për liberalizim, ne në vitin 2012 e kemi pranuar të tillë dhe tani nuk mund ta rinegociojmë kur kemi arritë te kushti i fundit për t’u plotësuar.

 

Znj. Ministre, sa jeni e kënaqur me zbatimin e MSA-së,?

 

Ahmetaj: Për vitin e parë prej kur ka filluar të implementohet MSA dhe, siç thashë edhe më sipër, janë në proces krijimi i mekanizmave institucional. Jam e kënaqur me implementimin e MSA. Po ashtu, Programi për implementimin e MSA për këtë vit është edhe me i detajshëm si dhe është i buxhetuar tërësisht dhe shpresoj se si i tillë do të jetë i suksesshëm.

 

Tani më kemi të qartë që vendi ynë do të ketë zgjedhje të parakohshme me 11 qershor, ish partneri i juaj LDK-ja akuzon PDK-në për prishje të njëanshme të koalicionit, ndërsa arsyetimi i PDK-së është ngecja në vendimmarrje e kësaj qeverie, sa qëndron ky arsyetim?

 

Ahmetaj: Janë bërë gati dy vjet prej kur është nënshkruar marrëveshja për demarkacion dhe fakti që asnjëherë nuk është sjellë në Kuvend për t’u votuar apo është sjelle një herë dhe tërhequr, është tregues se ka pas ngecje dhe zvarritje që të merren vendime të rëndësishme.

 

Znj Ministre, pasi që jeni pjesë e strukturave të larta të PDK-së, a keni menduar se si do të jetë qasja e subjektit tuaj karshi integrimeve evropiane?

 

Ahmetaj: PDK në programin e saj e ka procesin e integrimit euroatlantik si prioritet dhe kjo vetëm sa ka qenë inkurajim dhe shtytje për mua që këtë objektiv të avancoj më tutje.

 

Dihet fakti që përpos pozitës së ambasadores, ministres së integrimeve ishit edhe deputete e parlamentit të Kosovës, a do të jeni kandidate për deputete?

 

Ahmetaj: Nëse PDK ma beson kandidimin tim për deputete më shumë nder dhe kënaqësi do të kandidohem.

 

Kryetari i partisë suaj vazhdimisht ka kërkuar inkuadrimin e gruas në vendimmarrjen politike, konsiderohet që numri i grave në politike është jo i kënaqshëm, përmendem edhe pozicionet e juaja të rëndësishme politike, sa ka qenë e vështirë për një grua ky rrugëtim politik?

 

Ahmetaj: Fakti që Kryetari Veseli në vazhdimësi ka kërkuar që gruaja në PDK të jetë e përfaqësuar me 50%, që dy nga dikasteret mjaftë të rëndësishme ua ka besuar grave si dhe që në vazhdimësi në Parti ka prurje të reja tregon se ai është i përkushtuar që pozicionin e gruas në politikë dhe vendimmarrje ta avancoj. Politika është diçka që e mëson duke e bërë/praktikuar, si e tillë ka mjaft sfida por kur e bënë me vullnetin më të mirë për të avancuar vendi atëherë sfidat bëhen mundësi dhe jo pengesa. Sigurisht ka shumë punë para nesh por kur e llogarisë kohën kur unë jam kyqë në politike dhe klimën e tanishme dallimi është shumë i dukshëm.

 

Znj Ministre, ju me profesion vini nga fusha e mjekësisë, në cilën profesion e ndieni vetën më mirë si politikane apo si doktoreshë?

 

Ahmetaj: Ndjehem mire, kudo që jam, si në profesion e edhe në politikë. Në shëndetësi dihet “Betimi i Hipokratit” me të cilin mjeku betohet se do t’ju shërbej pacientëve me gjithë vullnetin dhe dijen pa bërë dallime dhe diskriminime. Besoj se edhe në politikë duhet të jenë rregullat e njëjta, të ketë etikë dhe moral me të cilin politikanët i dedikohen popullatës dhe qytetarëve në përmirësimin e jetës së tyre.

 

Politika ka shumë angazhime, sa keni kohë për jetën familjare?

 

Ahmetaj: Mundohem të bëjë krejt çka është e mundur që të jem edhe pranë familjes në çdo kohë sepse koha me familjen është e çmuar për mua.

 

http://ferizajpress.com/ministrja-ahmetaj-obligimet-nderkombetare-qe-kosova-i-merre-duhet-tu-qendroj-prapa/

 

 

Ministrja Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

KOSOVO IN UNESCO